Serbët ndalojnë Shakohoxhën 3 orë në aeroport, reagon gazetari: Më kishin futur në listë të zezë…

Gazetari i njohur Dritan Shakohoxha ka përjetuar një tjetër eksperiencë të keqe në Serbi pas asaj që ndodhi 11 vite më parë në Beograd.

Ai sot ka udhëtuar sërish drejt kryeqytetit serb për të qenë nesër në stadium për ndeshjen e kombëtares, ndërsa është ndaluar në aeroport së bashku me kolegë të tjerë nga Shqipëria duke i mbajtur aty për afro 3 orë pa iu dhënë asnjë shpjegim zyrtar.
I kontaktuar nga Top Channel, Shakohoxha konfirmoi se janë mbajtur nga policia serbe shumë gjatë në aeroport.

Ishte sërish një situatë absurd. Më morën pasaportën mua dhe disa kolegëve të tjerë nga Shqipëria dhe nuk na jepnin asnjë shpjegim. Më pas pashë emrin tim, të Arlind Sadikut dhe disa komentatorëve të tjerë nga Shqipëria që ishin aty dhe na kishin futur në një lloj liste të çuditshme. Na pyesnin vazhdimisht se “për çfarë kishim shkuar në Beograd. Largoheshin. Vinin prapë: pyesnin, iknin prapë. Një marrëzi e pafund. Deri sa në fund na lejuan të largoheshim”, tha Shakohoxha.
Më pas u pyet nëse do të jetë nesër në stadium dhe tha se do të shkojë aty, nëse serbët nuk bëjnë sërish “çmenduri” ndaj gazetarëve shqiptarë