Selmani: Shqiptarët zgjedhin mes Ahmetit dhe Mickovskit (VIDEO)

NASER SELMANI

Ndërsa afrohet dita e zgjedhjeve lokale, bëhet gjithnjë e më e qartë se më 19 tetor shqiptarët do të zgjedhin mes Aleancës Kombëtare për Integrim dhe VMRO-së së kryeministrit Mickoski. Në këtë betejë politike, koalicioni VLEN luan rolin e një aktori sporadik dhe të një shërbëtori që kryen punët më të ndyra, në mënyrë që padroni të mos i përlyejë duart.
Është e pabesueshme me sa zell patericat e Mickoskit në VLEN luajnë lojën e pistë të VMRO-së, me shpresë se padroni do t’i shpërblejë me ndonjë “çiflik”. Ata janë të gatshëm të shkelin edhe nderin e shqiptarëve për të poshtëruar kandidatët e opozitës. Kjo tregon se sa të pashpresë janë në misionin e pamundur për të siguruar fitoren e kandidatëve të VMRO-së në komunat shqiptare. Publikimi i përgjimeve të montuara me kandidatin e AKI-së në Kërçovë, Fatmir Deharin, vetëm i vërteton këto dyshime.
Votuesi shqiptar e di mirë se pushteti nuk fitohet me publikimin e përgjimeve me burim të dyshimtë në rrjetet sociale, por me veprim institucional. Sikur qoftë edhe një për qind e pretendimeve të tyre të ishin të vërteta, ato përgjime nuk do të përfundonin në internet, por në zyrën e prokurorit. Në vend të këtij cirku të neveritshëm elektoral, do të kishim një procedurë të rregullt ligjore që do të nxirrte në dritë të vërtetën.
Megjithatë, opinioni shqiptar shpesh i ka nënvlerësuar patericat e VLEN-it në qeverinë e Mickoskit. Ata nuk kanë qenë kurrë lojtarë të rastësishëm. Edhe kur ishin në BDI dhe i thoshin “babë” Ali Ahmetit, ata luanin lojën e partive maqedonase.
Ishin bomba të programuara që shpërthyen sapo padroni u dha shenjë të braktisin BDI-në dhe të formojnë Besën, Alternativën, e më pas edhe Lidhjen Demokratike. Por mallkimi i atyre që tradhtojnë “baballarët” e tyre politikë është se mbeten me damkën e “kopilëve politikë”.
Nëse analizohet me kujdes struktura e kësaj sekte politike, strumbullari i saj është Çairi i Shkupit. Me trup mund të kenë qenë në BDI, por frymëzimin e kanë marrë nga ideologjia e Islamit politik, e imponuar te shqiptarët nga kuzhinat serbo-sllave. Për shkak të tyre, Çairi sot i ngjan më shumë një getoje të Lindjes së Mesme sesa një komune moderne evropiane. Është një ëndërr e vjetër pansllaviste, ruso-serbe, që shqiptarët të paraqiten para Evropës si “talibanë të bardhë”, pa lidhje me qytetërimin evropian.
Pjesa më e madhe e tyre më tepër vuajnë për Gazën sesa të merren me shqetësimet e shqiptarëve. Por edhe me Gazën nuk janë të sinqertë, e përdorin vetëm për mashtrimin e fukarenjëve në lagjet e getoizuara të Çairit. Kur vjen propozimi bë Parlament për njohjen e pavarësisë së Palestinës , ata nuk e përkrahin sepse padroni i tyre Mickovski është kundër.
Sa për fenomenin Fatmir Limani, ai nuk është i panjohur për shqiptarët. Historitë e “pobratimëve” ruhen ende në folklorin tonë. Nuk ka asgjë të keqe që Limani të ketë miqësi të ngushtë me Mickoskin. Por kur kryeministri Mickovski përdorë pushtetin e tij për të bërë ministër Limanin, e në këto zgjedhje edhe kryetar komune, ky është problem serioz për shqiptarët. Megjithatë, dyshoj se rasti i Limanit shpalos një dukuri edhe më të rëndë – kompleksin e Stokholmit, kur viktima magjepset nga agresori.