Ruzhin: Pa ndryshimet kushtetuese, s’kemi asnjë shans për të ecur drejt BE-së

“Topi është në fushën tuaj”, tha Ursula von der Leyen nga Shkupi, duke lënë një mesazh të qartë se ndryshimet kushtetuese janë çelësi i vetëm për hapjen e negociatave të pranimit.

Ish-ambasadori, Nano Ruzhin thotë kjo nuk është një surprizë, se problemi nuk është te Bullgaria, por te pamundësia jonë për të përmbushur kushtet e dakorduara me Bashkimin Evropian dhe paralajmëron se pa këtë hap vendi nuk ka shanse të ecë përpara në integrimin evropian.

“Derisa të zgjidhet çështja me Kushtetutën, nuk kemi mundësi të largohemi nga kjo situatë. Nuk duhet të jesh një ekspert i madh për të arritur në përfundimin se problemi ynë është Bashkimi Evropian, jo Bullgaria, sepse kemi një marrëveshje të lidhur me Bashkimin Evropian.

Tani mund të bëjmë formulime të ndryshme, të nxjerrim në pah, të kërkojmë fajtorë, të kritikojmë qëndrimet e atyre që kanë lidhur marrëveshjen. Por fakti është se në këtë moment, e vetmja gjë që na mbetet si shtet nëse kemi dëshirë të fillojmë negociatat është të ndryshojmë Preambulën e Kushtetutës dhe të përfshijmë ato pak bashkësi etnike që identifikohen si të tilla, por që nuk përfshihen në Kushtetutë, tha Ruzhin për “Frontline”.

Është e kuptueshme që Von der Leyen, shton ai, po përsërit vetëm atë që të gjithë e dimë tashmë.