Kina kishte 515 milionë përdorues të inteligjencës artificiale gjeneruese (IA) deri në qershor, duke regjistruar një dyfishim brenda gjashtë muajve, thuhet në raportin e publikuar të shtunën nga Qendra e Informacionit të Rrjetit të Internetit të Kinës, në Konferencën e Burimeve të Infrastrukturës së Internetit të Kinës 2025, në Pekin, përcjell “Xinhua”.
Kjo shifër u rrit me 266 milionë nga dhjetori 2024, duke e ngritur shkallën e depërtimit të përdoruesve në 36.5 për qind në Kinë.
Raporti vuri në dukje se modelet e inteligjencës artificiale gjeneruese të prodhuara në Kinë kanë fituar popullaritet të gjerë midis përdoruesve dhe inteligjenca artificiale gjeneruese është aplikuar gjerësisht në fusha të tilla si kërkimi inteligjent, krijimi i përmbajtjes, ndihma në zyrë dhe pajisjet inteligjente.
Dobia e saj po eksplorohet gjithashtu në mënyrë aktive në sektorë si prodhimi bujqësor, prodhimi industrial dhe kërkimi shkencor, thuhet në raport.