Presidenti i Venezuelës paralajmëron se do t’u heqë shtetësinë personave që mbështesin “pushtimin amerikan”
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi të enjten se do të nisë një proces kushtetues për t’u hequr shtetësinë atyre që promovojnë ose inkurajojnë propagandën që bën thirrje për “një pushtim të vendit nga SHBA-ja”, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve të mediave lokale, Maduro akuzoi figurat e opozitës se po inkurajojnë SHBA-në të pushtojë Venezuelën, duke paralajmëruar se masa për heqjen e shtetësisë bazohet në Nenin 130 të Kushtetutës së Venezuelës.
Megjithatë, Neni 35 i Kushtetutës përcakton se një vendim i tillë mund të merret vetëm nga Gjykata Supreme dhe se venezuelasve që nga lindja nuk mund t’u hiqet shtetësia e tyre.
Ndërkohë, gjatë vizitave në shtetet Sucre dhe Delta Amacuro, Maduro kritikoi qeverinë e Trinidadit dhe Tobagos për nënshtrim ndaj SHBA-së.
Maduro akuzoi qeverinë e SHBA-së për mbjelljen e mosmarrëveshjeve, intrigave, urrejtjes dhe ksenofobisë në rajon, duke shtuar se qëllimi i Washingtonit është të vendosë vendet fqinje kundër njëri-tjetrit për të provokuar luftë.
Ai gjithashtu pretendoi se një operacion me flamur të rremë i orkestruar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) ishte penguar. Sipas Maduros, CIA planifikoi të sulmonte anijet luftarake amerikane të stacionuara në Trinidad dhe Tobago dhe të fajësonte Venezuelën për sulmin.
 
			 
				