“Po eksplorohen opsione, ende s’ka kërkesë formale”, mediat britanike shkruajnë mbi gatishmërinë e Kosovës për ndërtimin e qendrave për azilkërkuesit

Kosova është bërë vendi i parë që ka konfirmuar publikisht se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Britania.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova “dëshiron të ndihmojë” Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.

Në prag të samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të mërkurën në Londër, Kurti konfirmoi se po zhvillohen bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje.

Mediat britanike kanë raportuar për këtë çështje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kosova ndjen një “detyrë politike” për të pranuar migrantët e dështuar nga Britania e Madhe, nëse çështjet ligjore mund të tejkalohen, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti për Sky News.

Albin Kurti tha se ka “kapacitete të kufizuara” në këtë shtet të vogël, i cili ka një popullsi prej më pak se dy milionë banorësh, por ai pritet një “rezultat të suksesshëm” nga negociatat.

Bisedimet janë duke u zhvilluar, konfirmoi ai, ndërmjet zyrtarëve nga të dyja vendet për një marrëveshje për kthimin e migrantëve, për ata që u është refuzuar kërkesa për azil nga Britania dhe që janë në pritje të deportimit në vendin e tyre të origjinës.

Sky News raporton se një ekip nga Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar është duke eksploruar opsione për mënyrën se si mund të funksionojë kjo marrëveshje, megjithëse ende nuk është bërë një kërkesë formale për Kosovën.

Kurti, i cili po merr pjesë në një Samit të Ballkanit Perëndimor në Londër këtë javë, tha: “Duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar, e konsiderojmë këtë si një detyrë miqësore dhe politike.”

“Ne kemi kapacitete të kufizuara, por përsëri duam të ndihmojmë, dhe ndërkohë që flasim, ka komunikim të rregullt mes ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga ministria jonë e punëve të brendshme dhe avokatëve për mënyrën se si ta bëjmë këtë në mënyrë të qetë dhe me përfitim të ndërsjellë.”

“Sigurisht, ne duam si shtet të përfitojmë, por e konsiderojmë mbi të gjitha si një obligim për të ndihmuar juve sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë.”

Aleatë kyç të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri britanik, Keir Starmer i ka identifikuar vendet e Ballkanit Perëndimor si aleatë kyç në luftën kundër migracionit të parregullt, me 22,000 persona që kanë përdorur këtë rrugë për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar, vitin e kaluar.

Qeveria britanike ka nënshkruar marrëveshje për të luftuar bandat e kontrabandës me Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Keir Starmer tha më herët këtë vit se qeveria ishte në bisedime me disa shtete të paemëruara për të ngritur “qendra kthimi” që ai i quajti një “inovacion i rëndësishëm” për individët që i kanë shteruar të gjitha apelimet në sistemin britanik.

Kosova është vendi i parë që konfirmon se këto negociata janë në zhvillim, dhe diskutime të mëtejshme pritet të zhvillohen në kuadër të samitit të kësaj jave, raporton mediumi britanik.

Ky shtet i vogël në Evropën Lindore dhe Mbretëria e Bashkuar kanë lidhje të forta, me Sir Tony Blair të nderuar në vend për rolin e qeverisë së tij në udhëheqjen e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, të cilat ndihmuan për t’i dhënë fund Luftës së Kosovës.

Në qershor, Kosova bëri një marrëveshje me SHBA-në, e negociuar nën administratën Biden, për të pranuar deri në 50 të deportuar amerikanë që përmbushin kritere të caktuara. Por kuptohet se vetëm një ose dy kanë mbërritur për shkak të çështjeve ligjore./Reporteri.net/