Plani i Trump për paqen në Gaza, bota e mirëpret pranimin e planit nga Hamasi: Paqja është e arritshme

Pranimi i pjesshëm i planit të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për paqen në Gaza nga Hamasi ka gëzuar boten.

Grupi palestinez Hamas ka shprehur gatishmëri të lirojë të gjitha pengjet, sipas formulës së shkëmbimit të propozuar nga Trump.

Megjithatë, ky grup ka shprehur rezerva rreth çarmatosjes së organizatës “pa përfunduar okupimi izraelit”.

Hamas gjithashtu është shprehur i gatshme për t’i dorëzuar administrimin e Gazës një “trupi palestinez të pavarur teknokratësh”, i cili do të mbështetej nga bota islame.

Pas deklaratës së Hamasit ka reaguar presidenti amerikan Donald Trump.

Ai i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë menjëherë bombardimet mbi Rripin e Gazës, pasi Hamasi ka pranuar lirimin e të gjithë pengjeve dhe ra dakord me disa prej kushteve të planit të SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës.

“Izraeli duhet të ndalë menjëherë bombardimet në Gaza, që të sigurojmë lirimin e pengjeve. Kjo nuk është vetëm për Gazën, kjo është për paqen e shumëpritur në Lindjen e Mesme!”, ka shkruar Trump.

Kurse, Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se Izraeli është duke u përgatitur për “zbatimin e menjëhershëm” të fazës së parë të planit të Trumpit, e cila lidhet me lirimin e të burgosurve.

Sinjalet për paqe nga Hamasi dhe Izraeli janë përshëndetur nga liderët botëror.

Kancelari gjerman Friedrich Merz është shprehur optimist për paqe në Gaza. “Lirimi i pengjeve dhe paqja për Gazën janë të arritshme… Pas pothuajse dy vitesh, ky është shansi më i mirë për paqe”, ka shkruar ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka vlerësuar se armëpushimi në Gaza tani është i mundshëm.

“Lirimi i të gjithë pengjeve dhe një armëpushim në Gaza janë të arritshme! Angazhimi i Hamasit duhet të pasojë pa vonesë”, është shprehur ai.

Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka mirëpritur lajmin.

“Prioriteti për të gjithë tani duhet të jetë arritja e një armëpushimi që çon në lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Italia mbetet e gatshme të bëjë pjesën e saj”, është shprehur ajo.

Ndërsa, kryeministri kanadez Mark Carney ka inkurajuar palet për paqe.

“Ne i inkurajojmë të gjitha palët të punojnë menjëherë për t’i kthyer zotimet në realitet”, ka vlerësuar ai.