Përplasja Mickovski – Kasami, hija e Izet Mexhitit dhe sinjali i Adnan Azizit!

Rami Mislimi

Kriza politike mes VMRO-DPMNE-së – Mickovskit dhe kryetarit të Tetovës, Bilall Kasamit, ka hyrë në fazën më të ashpër të saj. Ajo që nisi si një bashkëpunim mes VMRO-së dhe Kasamit për të rrëzuar BDI-në, sot është kthyer në luftë të hapur politike që mund t’i kushtojë shtrenjtë jo vetëm Bilall Kasamit, por të gjithë kampit të VLEN-it.

Edhe pse Bilall Kasami përpiqet të shmangë përplasjen me kryeministrin Hristijan Mickoskin herë duke u ngjitur shkallve të qeverisë e herë duke u ik gazetarëve, ai nuk mund ta fshehë më hendekun që është krijuar mes tyre. Deklarata e tij nga Tirana ku u përpoq të shfaqet si “patriot” duke thënë se do të përkrahë kandidatin shqiptar në Kërçovë e më pas në Tetovë duke heshtur, duket se ka ndezur VMRO-në dhe Mickoskin. Kryeministri Mickovski bashkë me ministrin Aleksander Nikollovskin siç duket po i kthejnë kurrizin Kasamit dhe po dërgojnë sinjale të qarta ndëshkimi për zgjedhjet e 2 nëntorit.

Në raundin e parë më 19 tetor, Kasami mori mbi 2.000 vota maqedonase, kryesisht nga elektorati i VMRO-së dhe mbi 1.000 vota për këshillin komunal pasi VMRO humbi një këshilltar të saj. Ishte kjo një dhuratë politike nga Mickoski për ta mbajtur gjallë në garë, por jo për ta bërë fitues Bilallin. Ky ishte mesazhi i parë i Mickovskit: “Tetova nuk fitohet pa VMRO-në.”

Tani, me afrimin e raundit të dytë, Mickoski po dërgon sinjale të qarta se Kasami nuk mund të krekoset si fitues pa mbështetjen e VMRO-së andaj edhe e qortoi ditë më parë bashkë me Nikolllovskin duke i thënë se do të pësosh si Alia i Zajazit.

Në anën tjetër, shefi i shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi, e ka kuptuar rrezikun. Dy ditë pas zgjedhjeve, ai doli publikisht me thirrjen për unitet shqiptar në Tetovë.

“E shfrytëzojmë këtë atmosferë pozitive që t’i ftojmë të gjithë shqiptarët t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër, pa ndarje partiake.”

Në realitet, kjo deklaratë është lexuar si sinjal alarmi për Kasamin. Sipas Azizit VMRO-ja po përgatitet ta ndëshkojë Bilall Kasamin dhe i vetmi shpëtim është bashkimi shqiptar rreth Kasamit dhe VLEN-it në Tetovë.

Por, përplasja mes Kasamit dhe Mickovskit ka edhe një hije në mes. Hija e këtij konflikti shihet që mund të jetë edhe Izet Mexhiti.

Mexhiti, që tashmë po përgatitet të marrë drejtimin e VLEN-it, ka dërguar sinjale të qarta se në rast humbjeje të Tetovës, Kasamit i mbyllet dera për të drejtuar VLEN-in.  Ndërkohë që konflikti mes Mickovskit dhe Kasamit po thellohet, Mexhiti edhe pas fitores po shfaqet në Çair, duke treguar muskujt politikë dhe duke e injoruar krejtësisht Bilall Kasamin në Tetovë

Në prapaskenë, Mexhiti “lutet” që Kasami të pësojë një humbje të lehtë në Tetovë, aq sa për ta dobësuar, por jo për ta zhdukur, që më pas të marrë drejtimin e VLEN-it si “lideri më i fuqishëm shqiptar në pushtet”.

Në anën tjetër, edhe Adnan Azizi nuk po rri duarkryq. Ai ka nuhatur lojën që vjen pas 2 Nëntorit dhe po armatoset me komandantin Hazbi Lika që ti bëjë ballë Mexhitit dhe Mickovskit.

Përpos përplasjes së re mes Kasmit dhe Mickoskit, ka pasur një tjetër përplasje e heshtur mes Mexhitit dhe Azizit që në fushatë. Izet Mexhiti pezulloi Adnan Azizin si shef shtabi dhe e përjashtoi nga fjalimet publike në Çair. Sot, ai akt shihet si fillimi i luftës për kontrollin e VLEN-it.

Zgjedhjet e 2 nëntorit nuk do të jenë më vetëm për Tetovën. Ato do të tregojnë kush do të mbaj timonin e VLEN-it Bilall Kasami me Adnan Azizin, apo Izet Mexhiti me mbështetjen e Mickoskit, sepse të tjerët si Zeka dhe Arbeni nuk janë të zëshëm në këtë lojë, ata do të reshtohen pas atij që do të fitojë garën.

Pas 2 nëntorit, çdo rezultat do të ketë peshë historike. Nëse Kasami humb Tetovën, VMRO do ta përdorë si mesazh ndëshkimi për të gjithë partnerët shqiptarë. Por nëse ai arrin ta ruajë, atëherë fillon faza e dytë beteja për shpirtin e VLEN-it.

Një gjë është e qartë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po hyjnë në periudhën më të ndjeshme politike të viteve të fundit. Ashtu siç ka deklaruar edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Pas 2 nëntorit, asgjë nuk do të jetë më si më parë njejtë siç ka ndodhur pas Covid-19. Gjithçka ndryshoi pas Covidit dhe gjithçka do të ndryshojë pas 2 Nëntorit.

Dhe për fund fuqia e Mickoskit po rritet dhe pafuqia e shqipatrëve ndjehet. Shqiptarët do të jenë të fuqishëm në lagjet e tyre sepse çdo lagje do ketë një kryetar partie që pas vete do të kenë 10 vota deri në momentin që do të ketë ndarje mes shqipatrëve dhe liderëve të partive poltike.

Nga njëra anë shqiptarët e bashkruar dhe nga ana tjetër liderët e përçarë, e deri atëherë do të durojmë nënçmimin që po na bëhet si popull!