Përplasja e heshtur në Tetovë: Mickoski nuk e përmend Kasamin, Kasami e mohon: Vota nuk ka ngjyrë politike

Kandidati për kryetar komune nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, nuk ka marrë pjesë në tubimin e mbajtur mbrëmë nga VMRO-DPMNE në Tetovë. Në të njëjtën kohë, kryeministri Hristijan Mickoski, i pranishëm në tubim, nuk iu drejtua anëtarëve të partisë së tij dhe komunitetit maqedonas me thirrje për të përkrahur kandidaturën e Bilall Kasamit.

Kjo mungesë e ndërsjellë ka ngjallur spekulime për një përplasje të heshtur mes Mickoskit dhe Kasamit, ndonëse zyrtarisht të dy palët nuk e kanë konfirmuar një krisje të tillë.

Sipas burimeve të portalit TS, kryeministri Mickoski ka pranuar me qindra ankesa nga anëtarë të VMRO-së në Tetovë, të cilët janë të pakënaqur me rritjen e taksave të mbeturinave dhe të pronës gjatë mandatit të Kasamit si kryetar komune. Aktualisht, mbi 10 mijë qytetarë të Tetovës ndodhen në procedura përmbarimore për shkak të këtyre taksave.

I pyetur për raportet me VMRO-në dhe mungesën e mbështetjes publike nga Mickoski, Bilall Kasami i hodhi poshtë zërat për përçarje.

“Kryeministri nuk mund të bëjë thirrje për të më votuar aty, sepse unë nuk kam qenë i pranishëm për arsye objektive. Opozita duhet të vendosë: a do të zgjidhem me votat e VMRO-së apo jo? Për mua, votat nuk kanë ngjyrim partiak apo etnik. Unë kam punuar për çdo qytetar të Tetovës dhe kërkoj përkrahjen e tyre që të vazhdoj punën edhe në katërvjeçarin e ardhshëm, pa dallime etnike, fetare apo politike,” deklaroi Kasami.

Ndërkohë, pakënaqësitë brenda degës së VMRO-së në Tetovë ndaj Bilall Kasamit vazhdojnë. Sipas burimeve të TS, anëtarët lokalë të partisë vazhdojnë t’i adresojnë ankesat e tyre te kryeministri Mickoski, duke e fajësuar Bilall Kasamin për faturat e rritura dhe për mosrealizimin e premtimeve të fushatës së kaluar.

Ndryshe në Tetovë ka gjashtë kandidat, ku dy janë shqiptarë, tre maqeodnas dhe një i komunitet rom që do të përballen me 19 tetor për kryetar komune./TS/