Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Bullgari, duke goditur më fort rajonin e Burgasit.
Mes zonave më të prekura është edhe fshati turistik Elenite, ku ujërat kanë përfshirë hotele, ndërtesa dhe automjete.
Qindra persona janë evakuuar, ndërsa dhjetëra ekipe shpëtimi po punojnë në terren. Situata mbetet kritike, pasi shirat vijojnë me intensitet përgjatë jugut të bregdetit të Zi.
Deri tani janë konfirmuar dy viktima në Elenite. Njëri prej tyre humbi jetën në një garazh nëntokësor, ndërsa viktima e dytë është një operator ekskavatori që kishte shkuar për të ndihmuar, por më vonë u gjet i pajetë, raportojnë mediat.
Shpëtimtarët po kontrollojnë ndërtesat për persona të bllokuar. Deri më tani janë evakuuar gjashtë gra, përfshirë tre turiste nga Polonia, nga një vendpushim në komunën e Nesebrit.
Për shkak të përmbytjeve, automjetet e zakonshme e kanë të pamundur të hyjnë në disa zona. Në operacion janë përfshirë ekipe të specializuara nga Nesebër, Pomorie dhe Varna, përfshirë zhytës dhe mjete amfibe.
Rreth 50 persona, të strehuar në katet e sipërme të katër ndërtesave të rrezikuara, janë aktualisht të sigurt.
Për shkak të situatës së rënduar nga reshjet, në rrethet Burgas, Montana dhe Pernik është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.