Pentagoni aprovon dërgimin e raketave Tomahawk, vendimi përfundimtar i mbetet Trump

Pentagoni i ka dhënë Shtëpisë së Bardhë dritën jeshile për të dërguar raketa Tomahawk në Ukrainë, pasi vlerësoi se kjo nuk do të ndikonte në rezervat strategjike të SHBA-së.

Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Presidentit Donald Trump, sipas tre zyrtarëve amerikanë dhe europianë që kanë njohuri për çështjen.

Sipas informacionit të paraqitur nga CNN, vlerësimi i Pentagonit iu paraqit Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij muaji, pak para se Trump të takohej me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington.

Zelensky kishte kërkuar furnizimin me raketa për të goditur në mënyrë më efektive objektet e naftës dhe energjisë brenda Rusisë. Tomahawk-ët kanë një rreze veprimi prej rreth 1,600 kilometrash, gjë që do t’i lejonte Ukrainës të zgjeronte aftësinë e saj të sulmit thellë në territorin rus.

Miratimi i Pentagonit ka inkurajuar aleatët evropianë të SHBA-së, të cilët besojnë se nuk ka më asnjë arsye për të vonuar. Dy zyrtarë evropianë thanë se vlerësimi i SHBA-së “eliminon çdo justifikim” për mosdërgimin e raketave. Vetë Trump kishte thënë disa ditë para takimit me Zelensky se SHBA-të kanë “shumë Tomahawk që potencialisht mund t’i jepen Ukrainës”.

Telefonata që ndryshoi rrjedhën e historisë

Megjithatë, për habinë e zyrtarëve në Uashington dhe Evropë, Trump ndryshoi qëndrim disa ditë më vonë. Gjatë një dreke pune në Shtëpinë e Bardhë me Zelenskyn, ai tha se Shtetet e Bashkuara “kanë nevojë” për raketat, ndërsa privatisht e bëri të qartë se “për momentin” nuk do t’i jepte ato.

Ndryshimi i tij i mendjes erdhi një ditë pas një telefonate me Presidentin rus Vladimir Putin. Sipas CNN, Putin pranoi se Tomahawk-ët mund të godisnin qytete të mëdha ruse si Moska dhe Shën Petersburgu, por vuri në dukje se ato nuk do të kishin një ndikim të rëndësishëm ushtarak në terren dhe do të shkaktonin “dëme të pariparueshme” në marrëdhëniet SHBA-Rusi. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk e komentuan këtë informacion.

Edhe pse Trump nuk e ka përjashtuar plotësisht mundësinë, administrata e tij ka hartuar tashmë plane për të dërguar menjëherë raketat, nëse i jepet urdhri. Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan duket i frustruar me qëndrimin e Putinit mbi negociatat e paqes dhe, në përgjigje, miratoi së fundmi sanksione të reja amerikane kundër kompanive ruse të naftës, duke anuluar përkohësisht një takim të planifikuar me udhëheqësin rus në Budapest.

Stoqe të mjaftueshme, shqetësime në lidhje me trajnimin dhe përdorimin

Në të njëjtën kohë, megjithëse Pentagoni nuk shpreh shqetësime në lidhje me stoqet, zyrtarët amerikanë pranojnë se mbeten çështje operacionale: si do të stërviten forcat ukrainase për të përdorur Tomahawk-ët dhe si do të lëshohen raketat në praktikë. Tomahawk-ët zakonisht lëshohen nga anije ose nëndetëse, por marina ukrainase ka pësuar humbje serioze. Prandaj, raketat do të kishin nevojë për lëshues tokësor, të ngjashëm me ato të zhvilluara nga Marinsat dhe Ushtria Amerikane.

Edhe pa lëshues të tillë, zyrtarët evropianë besojnë se Ukraina mund të gjejë një zgjidhje teknike. Njëri prej tyre kujtoi se inxhinierët ukrainas arritën të përshtatnin raketat britanike Storm Shadow për t’u lëshuar nga avionët e vjetër luftarakë sovjetikë, pavarësisht faktit se ato ishin projektuar ekskluzivisht për avionët modernë të NATO-s