“Paguhesha 20 dollarë ora, kam punuar si babysitter” – Historia frymëzuese e suksesit të këngëtares shqiptare

Nga babysitter në Manhattan deri te bizneset në Michigan, këngëtarja shqiptare tregon rrugëtimin e saj të vështirë, plot guxim, sakrificë dhe sukses në tokën e mundësive.

Këngëtarja e njohur Gerona Hyska ka ndarë së fundmi një histori frymëzuese për jetën dhe karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, artistja tregoi rrugëtimin e saj nga Tirana në Nju Jork, vështirësitë që ka përballuar dhe mënyrën se si sot është bërë pronare e dy bizneseve të suksesshme në Michigan.

“Kam punuar si babysitter, paguhesha 20 dollarë ora”

Gerona rrëfeu se gjithçka nisi krejt papritur, pa plane madhore. Pas studimeve në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe një specializimi në Francë për Diagnostikim të Menaxhimit Operacional të Bizneseve, ajo vendosi të vizitonte të afërmit në SHBA — një udhëtim që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë.

“Kur shkova për herë të parë në Nju Jork, mora vetëm një valixhe të vogël me rroba për një javë. Pas disa ditësh, fillova të mërzitesha dhe nuk e dija çfarë të bëja. Një mik më ofroi të punoja në disa dasma, dhe më pas një shoqe më gjeti punë si babysitter. Paguhesha 20 dollarë ora, kujdesesha për vajzën e një modeleje braziliane në Manhattan.”

Ajo kujton me buzëqeshje se, pavarësisht se nuk kishte nevoja ekonomike, e bëri për të sfiduar veten dhe për të kuptuar jetën reale në Amerikë.

“Asnjërit nuk i tregoja që po punoja. Një ditë ajo zbuloi ‘Instagram’-in tim dhe mbeti pa fjalë. Më tha pse nuk i kisha treguar kush isha. Ia shpjegova se vij nga një familje që më ka mësuar ta respektoj çdo punë. Asnjë punë nuk është turp.”

Nga babysitter në sipërmarrëse

Pas disa vitesh qëndrimi në SHBA, Gerona nisi të ndërtonte rrënjët e saj të reja. Me punë, përkushtim dhe frymëzim nga bashkatdhetarët që kishin nisur nga e para, ajo hapi një coffee shop dhe një fast food me gyros në Michigan, ku jeton aktualisht.

“Kam parë shumë shqiptarë që sot janë milionerë e që dikur kanë larë enë. Këta njerëz më kanë frymëzuar. Më kanë mësuar se puna dhe këmbëngulja shpërblehen gjithmonë. Sot kam dy biznese të miat, dhe e ndjej veten me fat.”

Gerona shton se në Michigan jetojnë aq shumë shqiptarë, sa shpesh i duket sikur është ende në vendlindje.

“Muzika live është seksi i shpirtit”

Përveç sipërmarrjes, Gerona nuk i është larguar muzikës – pasionit të saj të parë. Ajo vazhdon të performojë live nëpër evente dhe dasma, duke theksuar se muzika live është e pazëvendësueshme.

“Muzika live është seksi i shpirtit. Nuk ka ndjesi më të bukur sesa të këndosh për njerëzit në momentin e vërtetë. Playback mund të jetë perfekt, por s’ka shpirt. Unë dua të jem e vërtetë, pa filtra.”

Ajo pranon se tregu muzikor është bërë më i vështirë, veçanërisht për gratë, të cilat shpesh gjykohen më shumë për pamjen sesa për talentin.

Planet e reja: moderne, por me shpirt shqiptareje

Në fund të intervistës, Gerona zbuloi se është duke punuar për projekte të reja muzikore që ndërthurin tingujt modernë me ndjeshmërinë shqiptare.

“Më pëlqen të këndoj moderne, por gjithmonë fus atë shpirtin popullor. Edhe kur e bëj muzikën time urbane, dua që publiku të ndiejë gjakun shqiptar që më rrjedh në damarë.”

Një histori frymëzuese për çdo të ri shqiptar

Rrëfimi i Geronës është një histori suksesi që dëshmon se me punë, përulësi dhe pasion, ëndrrat mund të bëhen realitet — edhe në një vend të madh si Amerika. Nga babysitter në Manhattan deri te pronare biznesesh në Michigan, ajo mbetet një shembull i gruas shqiptare që nuk dorëzohet kurrë.