Presidentja Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë të Danimarkës, dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.
Para fillimit të samitit, ajo do të pritet nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës, ndërsa gjatë punimeve do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të këtij edicioni.
E para e shtetit të Kosovës po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse, transmeton Klankosova.tv.
Në kuadër të samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.
Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.