Osmani tregon hapat nëse dështon Kurti: Do t’i ftoj të gjitha partitë për të parë nëse dikush mund ta krijojë shumicën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se si do të veprojë nëse Albin Kurti nuk arrijnë të formojë qeverinë të dielën.

Ajot ka bërë me dije se si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.

“Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje”, ka thënë Osmani për DW.

Ajo ka bërë me dije se është ende herët të flitet për zgjedhje të parakohshëm.

“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.

Kuvendi i Kosovës dje ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme për formimit e Qeverisë së re do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 10:00.

“Seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 26.10.2025, në orën 10:00, në sallën e Kuvendit. Ftohen të gjithë deputetët e Kuvendit”, thuhet në ftesën e Kryeparlamentarit Dimal Basha.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se ende nuk i kanë votat për Qeverinë “Kurti 3”.

Sipas saj, janë afër 4-5 deputetë “mangu” për të pasur minimumin e shumicës që nevojiten.

Më 21 tetor, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një takimi me mërgatën la të kuptohet se partia e tij mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u thënë se “nuk është kollaj” formimi i qeverisë, ndërsa paralajmëroi shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Do të përpiqemi maksimalisht deri në ditën e diel më së largu, se të hënën s’muj m’u përgatit se të hënën ose e kemi bërë qeverinë ose s’e kemi bo. Prandaj në këto ditët e mbetura jemi t’u komuniku, jemi t’u bisedu, nuk është kollaj se s’di si me jau spjegu, ndoshta e keni ndje edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi, inate e cinizëm shumë më shumë se ide punë e pasion. Por, jemi ku jemi tash këtu dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe por siç po duket alternativa është do të shkojmë zgjedhje prapë, ose do ta bjëmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për mundësinë që partitë tjera ta formojnë, nëse VV dështon.

“Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe synim për qeveri të tyre alternative”, tha Kurti në Londër para mërgatës atje.

Partitë politike, PDK, LDK, AAK e NISMA kanë thënë se nuk do ta votojnë për formimin e qeverisë.

Nëse Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve për kabinetin e ri deri më 26 tetor, atëherë presidentja Vjosa Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. /Reporteri.net/.