Osmani: Koha e klaneve ka përfunduar, Çairi kthehet në duart e qytetarëve!

Në një atmosferë të ngrohtë dhe përplot entuziazëm qytetar, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, nga tubimi në lagjen Dizhon, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për ndryshim dhe përfundimin e epokës së interesave të ngushta partiake.

“#Bashkë në Dizhon, në Çair, aty ku po vendoset e ardhmja jonë: A do të mbetemi peng i klaneve të ngushta apo do ta kthejmë komunën në duart e qytetarëve?”, u shpreh Osmani, duke bërë thirrje për një qeverisje të ndershme, transparente dhe me vizion qytetar.

Ai theksoi se Lëvizja për Çairin e Ri nuk është vetëm një slogan elektoral, por një besim dhe vendosmëri e sinqertë për ndryshim.

“Qytetarët meritojnë pastërti, siguri, rrugë funksionale, hapësira publike dhe një komunë që punon për qytetarin, jo për grupe të mbyllura interesi”, theksoi ai.

Sipas Osmanit, “koha e kaosit ka mbaruar”, dhe Çairi ka nevojë për vizion, përkushtim dhe punë të ndershme – tre shtylla mbi të cilat ai premton ta ndërtojë mandatin e tij./TS