“Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin nesër, ne do të fitonim mbi 60 deputetë” – thonë nga VMRO-DPMNE

VMRO-DPMNE me 550 këshilltarë nëpër Maqedoni dhe qytetin e Shkupit, si dhe me mbi 300.000 vota, është fituesi absolut i zgjedhjeve lokale, thuhet në njoftimin e partisë.

“Sikur nesër të mbaheshin zgjedhje parlamentare, sipas modelit të D’Hondt-it, me këto vota VMRO-DPMNE do të kishte mbi 60 deputetë, ndërsa LSDM në disa njësi zgjedhore do të ishte partia e tretë,” theksohet në reagim.

“Shtetasit e ndëshkuan LSDM-në, duke e bërë në disa vende të vendit – përfshirë edhe qytetin e Shkupit – parti të tretë, të katërt, madje edhe të pestë për nga numri i votave të fituara. Koha e punës, përgjegjësisë dhe rezultateve po vazhdon. Falënderim për të gjithë ata që bënë zgjedhjen e duhur,” thuhet më tej.

Në këto zgjedhje, VMRO-DPMNE ka fituar 12.000 vota më shumë krahasuar me vitin 2021, ndërsa LSDM ka humbur 111.000 vota. “Ky është një disfatë që më së miri pasqyron mosbesimin e qytetarëve ndaj politikave të gabuara, qeverisjes së paaftë dhe kuadrove jokualitative të LSDM-së,” shton partia.

Sipas të dhënave, VMRO-DPMNE është partia me përkrahjen më të madhe në 59 komuna dhe në qytetin e Shkupit, ku në shumicën e tyre ka shumicë absolute në këshilla. “Kjo tregon se qytetarët kanë zgjedhur stabilitet, zhvillim dhe njerëz të ndershëm që punojnë për interesin e shtetit, e jo për privilegje personale.”

“Qytetarët zgjodhën rrugën e rritjes dhe zhvillimit, e jo të ngecjes dhe rënies. Me këtë mbështetje, VMRO-DPMNE edhe njëherë dëshmoi se është partia e popullit, që i dëgjon qytetarët dhe punon për ta. Tani është koha që kjo fitore e madhe të përmbyllet në raundin e dytë. Të dalim masivisht dhe edhe një herë ta konfirmojmë vullnetin e popullit, duke rrethuar numrin 9 – për njeriun tënd, për vendin tënd, për të ardhmen tënde! Bëni zgjedhjen e duhur!”, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE-së.