Në “Ditën Botërore të Ushqimit” në Universitetin e Tetovës u ekspozuan ushqimet e kuzhinës tradicionale
Në “Ditën Botërore të Ushqimit” në Universitetin e Tetovës u ekspozuan ushqimet e kuzhinës tradicionale
Me moton “Të bashkuar për ushqim më të mirë dhe një të ardhme më të shëndetshme”, përmes ekspozimit të ushqimeve tradicionale të përgatitur nga studentët, sot, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit e shënoi Ditën Botërore të Ushqimit. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, drejtuesit e kësaj njësie akademike, profesorë dhe studentë.
Dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, u shpreh se Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, për çdo vit e shënon Ditën Botërore të Ushqimit, e cila këtë herë përkon me 80-vjetorin e themelimit të Organizatës Botërore për Ushqim dhe Bujqësi.
“Kjo ditë, që fillimisht njihej si “Dita e Urisë”, ka evoluar ndër vite ashtu siç zhvillohej shkenca e ushqimi. Motoja e këtij viti është: “Të bashkuar për ushqim më të mirë dhe një të ardhme të shëndetshme.” Në një kohë kur shoqëria jonë përballet me një rritje shqetësuese të sëmundjeve moderne si obeziteti, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe ato kancerogjene, ku ushqimi i pashëndetshëm luan një rol negativ, ne ndiejmë detyrimin të promovojmë zakone më të shëndetshme ushqimore. Pikërisht për këtë arsye, në bashkëpunim me studentët tanë, kemi organizuar një aktivitet simbolik, ku ata kanë përgatitur në shtëpi ushqime të ndryshme e mes tyre edhe tradicionale, për të nxitur rikthimin te vlerat ushqimore të kuzhinës shtëpiake dhe për të krahasuar ato me ushqimet e gatshme që konsumohen gjerësisht sot. Në frymën e solidaritetit dhe kujdesit për ata që kanë më shumë nevojë, një pjesë e këtyre ushqimeve do të shpërndahet për personat në nevojë.” – tha dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Gafur Xhabiri.
Në këtë aktivitet, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës krahas veprimtarisë arsimore dhe shkencore, rëndësi të veçantë i kushton edhe çështjes së raportit me komunitetin dhe kontributit të rëndësishëm shoqëror. “Sot ndjehemi të lumtur që Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit organizon një veprimtari të veçantë në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit, me ç’rast ne praktikisht tregojmë se kemi arritur rezultate edhe në këtë sferë. Më gëzon fakti që studentë jo vetëm të këtij fakulteti, por shoh edhe të drejtimeve të tjera, të cilët ndoshta do ta shijojnë më mirë edhe ushqimin dhe do të japin vlerësimet e tyre. Ne shpesh flasim në nivel të institucionit për integrimin evropian dhe bashkëpunimin me institucionet dhe realisht, të dashur studentë, ne kemi se çfarë t’i japim Evropës, sepse shpeshherë mendojmë se vetëm duhet të marrim nga ta. Ne kemi shumë vlera si tradita, ushqimi, respekti, mirënjohja, besnikëria, që mund t’i japim Bashkimit Evropian dhe pikërisht për këtë themi se duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe një nga këto vlera është pikërisht aktiviteti i sotshëm.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Për këtë qëllim, studentët e FTUU-së, kishin përgatitur me përkushtim një përzgjedhje të gjerë të ushqimeve tradicionale, duke u ofruar të pranishmëve mundësinë të provojnë ushqimet autentike të zonave të ndryshme. Ky aktivitet shërbeu si thirrje për ndërgjegjësim mbi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, prodhimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së traditës. Fakulteti konfirmoi përkushtimin e tij për të mbështetur studentët në projekte të ngjashme që ndërthurin teorinë me përvojën praktike. Në përmbyllje, për studentët që morën pjesë në këtë ngjarje u ndanë mirënjohje.