Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Tearcës, Nazim Taipi, ka zhvilluar një takim me fermerët e fshatit Sllatinë, ku u diskutua për sfidat dhe nevojat e sektorit bujqësor.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbështetjes institucionale, qasjes më të lehtë në inpute bujqësore dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në komunë.
Taipi premtoi se në katër vitet e ardhshme, bujqësia do të jetë një ndër prioritetet kryesore të programit të tij, duke garantuar:
Hapjen e një njësie rajonale për bujqësinë në kuadër të komunës;
Mbështetje teknike nga administrata komunale për informimin dhe aplikimin e fermerëve në fondet bujqësore;
Krijimin e shoqatës komunale të bujqve për nxitjen e bashkëpunimit mes tyre.
Sipas tij, këto masa do të ndihmojnë në forcimin e qëndrueshmërisë së fermerëve dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të komunës.