MPB garanton siguri të plotë gjatë “Zgjedhjeve Vendore 2025”

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e një procesi zgjedhor të qetë, të sigurt dhe demokratik në kuadër të “Zgjedhjeve Vendore 2025” informon Tetovasot.

Sipas MPB-së, gjatë ditës së votimit, oficerët e policisë do të jenë të pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në pikat kyçe të trafikut, për të siguruar rendin dhe qetësinë publike, si dhe për të reaguar menjëherë ndaj çdo shkeljeje të mundshme.

Në njoftim thuhet se siguria do të garantohet përmes përdorimit të pajisjeve moderne, mjeteve teknike standarde, ekipeve mobile dhe dronëve të kontrollit ajror, për të mundësuar mbikëqyrje efikase dhe reagim të shpejtë në rast incidentesh.

MPB u ka bërë thirrje qytetarëve dhe partive politike që të kontribuojnë për një atmosferë paqësore dhe demokratike, të respektojnë udhëzimet e policisë dhe të shmangin çdo veprim që mund të cënojë procesin zgjedhor.

Gjatë ditës së zgjedhjeve, MPB do të informojë rregullisht opinionin publik për ecurinë e procesit dhe masat e ndërmarra për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.Tetovasot