Mickoski: 23 Tetori nuk është vetëm një datë, por një betim – nuk do të lëshojmë pe kur janë në pyetje interesat e popullit dhe të Maqedonisë

Të nderuara ekselenca,

Të dashur miq,

Çdo popull është lindur përmes luftës, sakrificave, heqjeve dorë, sakrifikimeve të shumta dhe besim të fortë e një dëshire të zjarrtë për lirinë e vet. Populli ynë, edhe pse i vogël në numër, ndoshta ka pasur luftën më gjallëruese për liri, e cila na mëson se nuk ka gjëra të pamundura dhe se lufta për liri është një rrugë me gjemba, e shkruar me gjak dhe vuajtje, një varg i gjatë kryengritjesh, tregimesh njerëzore për guxim, për mençuri, por edhe për tradhti, komplot dhe luftëra të brendshme e të jashtme.
Çdo popull e ka Vaterlonë e vet, por edhe Normandinë e vet. Festën e çajit të Bostonit dhe Jorktaunin e vet. Rëniet dhe ngritjet e veta. Por edhe nëpër këtë vijë të luftës, ylli udhëheqës ishte organizata e krijuar në këtë ditë – organizata që është pjesë e kodit të lirisë sonë, por edhe e shtetësisë sonë, ajo që shënoi pjesën më të rëndësishme të historisë sonë dhe që përmban të gjitha ëndrrat tona për atë që jemi sot.
Në këtë ditë lindi organizata që më vonë i shënoi të gjitha kryengritjet dhe luftërat, ajo që ecte paralelisht me Maqedoninë gjatë krijimit të saj. Dhe ajo ëndërr për liri, ajo nënë e luftës së popullit tonë – VMRO-ja i përket çdo kujt që e do dhe e respekton luftën tonë, në zemrën e të cilit flakëron atdheu ynë, Maqedonia.
Më 23 tetor të vitit 1893 u krijua Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – ide që e mbijetoi epokën e saj, njerëzit, por edhe të gjithë kufijtë.
Nga ajo dhomë e thjeshtë, me vetëm disa duar dhe shumë zemra, filloi historia e madhe e luftës maqedonase. Ata të rinj revolucionarë nuk ishin gjeneralë, nuk ishin sundimtarë, por njerëz të zakonshëm që zgjodhën diçka më të lartë se jeta – t’i japin të ardhme atdheut.
Me penë, me fjalë dhe me betim, ata krijuan organizatën që do të bëhej simbol i qëndresës, i vetësakrificës dhe i përpjekjes së përjetshme për liri. Nga ajo shkëndijë në Selanik u ndez zjarri i Ilindenit, u forcua shpirti i Krushevës, lindi shtetësia në KAÇKM dhe u shkrua historia bashkëkohore e popullit maqedonas.
Dhe sa herë që para nesh qëndronin kohë të errëta, kur dukej se do të fshihet, pikërisht shpirti i VMRO-së e ruante emrin, besimin dhe dinjitetin e këtij populli.
Prandaj, 23 Tetori nuk është vetëm një datë – është edhe një betim. Një betim se Maqedonia kurrë nuk do të jetë mendim i huaj, por një shtysë e përhershme drejt lirisë, drejtësisë dhe së ardhmes.
Dhe kur e kremtojmë këtë ditë, përulemi jo vetëm para guximit të atyre luftëtarëve të parë, por edhe para idesë që edhe sot na thërret – të jemi pasardhës të denjë të besimit dhe ëndrrës së tyre.

“Vepra jonë është vepër e pastër popullore,” – do të thoshte Hristo Tatarçev, kryetari i parë i Organizatës.
Ajo ishte organizata e popullit, për popullin dhe me popullin. Pa shtet, pa ushtri, pa pushtet, por me diçka më të fortë se gjithçka: me besimin se drejtësia dhe liria janë në anën e tyre.

“Qëllimi është të fitohet autonomia e Maqedonisë,” do të shkruante Dame Gruev.
Por për ta, autonomia nuk ishte vetëm politike, por edhe pavarësi shpirtërore – e drejta e maqedonasit të jetë i veti në të vetën, të ketë gjuhën e vet, identitetin e vet, shtëpinë e vet.

Dhe gjithmonë, që ka qenë shumë vështirë, sa herë që dikush është përpjekur të na fshijë, pikërisht ai shpirt i VMRO-së – shpirtit të popullit që nuk dorëzohet – e ka mbajtur Maqedoninë gjallë.
“Revolucionari nuk pyet çfarë do t’i japë atdheu atij, por çfarë do t’i japë ai atdheut,” shkroi Gjorçe Petrov. Dhe ky është thelbi i VMRO-së – jo si organizatë, por si ide. Një ide që nuk vdes, por rilind me çdo brez – nga babai te biri, nga gjyshi te nipi, nga njeriu te njeriu, që beson në Maqedoninë.

Prandaj, sot nuk e festojmë vetëm të kaluarën. Sot e festojmë shpirtin e qëndrueshmërisë.
23 Tetori është një thirrje ndaj ndërgjegjes – të jemi të denjë për ata që na dhuruan lirinë, ta ruajmë Maqedoninë me të njëjtën vendosmëri me të cilën ata e krijuan.

VMRO është mendimi që nuk vdes, sepse është lindur nga dashuria për lirinë, dhe liria është e përjetshme.
Forca e VMRO-së nuk ka qenë tek armët, por në idenë se drejtësia është më e fortë se frika.
Dhe dëshmitë e atij vullneti prej çeliku dhe të asaj vetësakrifice nuk janë shkruar vetëm në libra, por mund t’i shihni në përmendoret e gjalla nën lisat e Meçkin Kamenit, në rrugët dhe shpirtin e Krushevës, në betejat dhe kryengritjet e lavdishme të popullit tonë.

Prandaj edhe Maqedonia duhet të ruhet, sepse pas këtij shteti qëndrojnë mijëra jetë të dhëna për lirinë e saj. Dhe kjo është diçka që na detyron dhe na obligon.
Të dashur miq,
Në ditët e sotme përballemi me sfida të ndryshme, por me rëndësi të njëjtë për të ardhmen e shtetit dhe të popullit tonë. Si kryeministër, jam plotësisht i vetëdijshëm për secilën prej tyre dhe pavarësisht të gjithave, një nga më të rëndësishmet është lufta për standard më të mirë jetese dhe për një jetë më të mirë. Kjo është ajo që populli kërkon dhe që i nevojitet. Edhe beteja për Bashkimin Evropian duhet parë përmes këtij synimi për një jetë më të mirë dhe për standarde më të larta dhe prandaj ky qëllim i yni, pavarësisht goditjeve dhe pengesave, mbetet rruga që duam ta ndjekim.
Dhe kjo rrugë është e drejta jonë natyrore dhe megjithëse shumë herë lëshimet që kemi bërë nuk kanë qenë të dinjitetshme, nuk kanë qenë të drejta, populli i ka pranuar ato me zhgënjim dhe me ngërç në fyt. Nuk është një, as dy, pork jo ngadalë po shndërrohet në një sjellje joparimore.
Në kontekstin e kërkesave të fundit, të cilat janë pengesë për ne, e kam fjalën për ndryshimet kushtetuese, pyetja kryesore që shtrohet është: Çfarë fitojmë ne nga kjo? Dhe a është kjo më në fund fundi? Dhe a është e drejtë?
Çdo veprim i ardhshëm i yni duhet të jetë përmes prizmit të përgjigjes ndaj këtyre pyetjeve dhe sigurimit, në rradhë të pare të garancive se kjo të jetë e fundit dhe të marrim diçka konkrete dhe të parashikueshme – të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët. Po ashtu, fqinji ynë lindor duhet të tregojë vlera evropiane dhe në të njëjtën mënyrë të përgjigjet për komunitetin maqedonas në Bullgari.
Sepse përkushtimin tonë ndaj Bashkimit Evropian e kemi dëshmuar përmes shumë lëshimeve, shumë sakrificave, madje edhe me koston e dëmit ndaj vetvetes. Dhe askush nuk ka të drejtë të thotë se ne nuk kemi sakrifikuar dhe nuk kemi paguar një çmim tepër të lartë për atë që dëshirojmë – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Por, ashtu si në histori, edhe sot, gjithmonë do të ketë njerëz dhe forca që janë të gatshme të japin më shumë, të pranojnë më shumë. Në këtë drejtim, opozita jonë është e gatshme të pranojë shumë më tepër, por edhe të heqë dorë dhe të japë shumë më tepër.
Sepse për ta, tregtia me tonën, me të përbashkëtën, është karta me të cilën duan të hyjnë dhe të mbeten në jetën politike – pa menduar për dëmin që i shkaktojnë jo vetëm vetes, por të gjithë shtetit dhe brezave të ardhshme.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se, në realizimin e atyre synimeve, pengesa e vetme është VMRO-DPMNE dhe koalicioni që ajo udhëheq. Por këtë rol duhet ta mbajmë me vetëdije mbi supet tona për hir të popullit tonë, për hir të atdheut tonë – se kurrë nuk do të lëshojmë pe kur janë në pyetje interesat për identitetin tonë maqedonas dhe për shtetin tonë, Maqedoninë.
Imagjinoni një situatë ku do të veprojmë të bashkuar, dhe opozita të jetë ajo që na shtyn dhe na inkurajon t’I mbrojmë vijat e kuqe, pa krijuar re dhe pa ngitur pluhur për valixhe, dhurata për fqinjin lindor dhe tregime për bizneset siç ka tani.
Dhe pikërisht kjo sjellje e tyre e deritanishme i ka ngulitur në vendin e tretë e të katërt për nga mbështetja – duke u bërë lojtar dytësor në skenën politike në vendin tonë.
Kur jemi te çështjet e politikës ditore, dua të ndalem në disa tema. Zgjedhjet lokale në raundin e parë, të shprehura përmes numrit të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të fituar, e dëshmuan rolin dominues dhe mbështetjen që gëzon VMRO-DPMNE. Dhe kjo tregon se populli ka shpresë dhe pritje që ne nuk do ta zhgënjejmë dhe as do ta tradhtojmë.
Nga ana tjetër, e dëgjoj opozitën tonë, e cila pësoi një debakël historik, duke u trimëruar dhe madje duke bërë llogaritje për mandate deputetësh. E kuptoj që ndodhen në një nokaut të rëndë elektoral nga populli, por me matematika joreale vetëm sa e irritojnë atë më shumë.
Ajo që është interesante është se edhe në analizat e tyre, ata thonë se VMRO-DPMNE dhe koalicioni kishin një fitore të qartë dhe të pastër. Nuk ka llogaritje në të cilën ata do të fitonin në ndonjë mënyrë. Kjo tregon se ata ende nuk kanë mësuar asnjë mësim, gjë që në një farë mase është edhe nënvlerësim i popullit dhe votuesve të tyre.
Dhe e gjithë kjo në një farë mase është një përpjekje për të krijuar një alibi për debaklin e tyre. Ta ruajnë lidershipin nga vala e pakënaqësisë së anëtarëve të asaj partie.
Kjo valë e mbështetjes së madhe për ne dhe një diferencë e tillë me konkurrentët është një përgjegjësi e madhe për ne dhe ne do të punojmë për të justifikuar besimin.
Ndërsa opozitës do t’i lëmë kohë të konsolidohet dhe të mendojnë nëse do të guxojnë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, të cilat, po të jem i drejtpërdrejtë, nuk i dëshiroj dhe mendoj se janë të panevojshme dhe se është koha për rezultate dhe një ofensivë të madhe në çdo plan.
Por matematika e tyre gazmore dhe kjo këmbëngulje me dinakëri dhe krijim të temave artificiale dhe bllofeve duhet ta marrë përgjigjen e duhur.
Prandaj, të kenë kujdes se çfarë flasin dhe çfarë dëshirojnë – mund edhe t’u realizohet.
Zgjedhjet e fundit dërguan një mesazh edhe te partneri i tyre i koalicionit – BDI.
Ata morën një mesazh nga populli dhe shqiptarët se mjaft më me politikë të ulët dhe keqpërdorim të temave etnike për interesa personale dhe pasurim. Dhe ky rezultat ndodhi sepse ata nuk e kuptuan se derisa ata merren me shqiponja, skifterë dhe lepuj, populli është i lodhur duke pritur për një jetë më të mirë – jetë që qytetarët nuk e fituan për 20 vjet me atë parti politike. Dëgjova edhe kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ata shpresojnë në këtë për të parandaluar rënien që është evidente që e kanë dhe ajo tatëpjetë që kanë kapur është më e madhe se ajo që shkon nga Strazha drejt Zajazit.
Të gjithë ata që shpresojnë se me tema etnocentrike do të fitojnë diçka në politikë, le ta shohin dhe të mësojnë nga shembulli i rënies së BDI-së, do të kuptojnë se çfarë kam parasysh. Ky është një mësim i mirë edhe për politikanët e tjerë në skenën politike maqedonase, të cilët duhet të kuptojnë se për të qenë partnerë koalicioni duhet të bashkohemi në këto zgjedhje dhe të mbështesim vlerat, e jo të ndahemi për tema dhe çështje etnike, nëpërmjet prizmit të shovinizmit dhe dallimeve të ngjashme etnike procedurale.
Nëse kjo është kështu, atëherë absolutisht nuk e shoh dallimin mes tyre dhe Aliut nga Zajazi, të cilin ata duan ta zëvendësojnë.
Nuk duhet që njerëzit të trajtohen si kontingjente votash të cilat dikush mund t’i drejtojë. Dhe kjo është gabim. Njerëzit duhet të trajtohen si njerëz me fate njerëzore që duan një jetë më të mirë dhe që duhet të votojnë sipas bindjes së tyre. Dua të them se askush prej nesh nuk i ka votat në xhep dhe se mbështetja duhet të ndërtohet me bashkim rreth vlerave, e jo përmes prizmit të përkatësisë etnike dhe dallimeve. Çdo gjë ndryshe nga kjo mendoj se është gabim.
Në këtë kontekst, duhet të pranohet se kryetarë të caktuar komunash u bënë kryetarë falë vullnetit dhe mbështetjes së maqedonasve, të cilën nuk duhet të lejojnë ta tradhtojnë.
Çdo hap ka veprim dhe reagim dhe unë gjithmonë do të sillem në mënyrën më të mirë për qytetarët dhe shtetin.
Të dashur miq,
Vendi ynë është krijuar mbi idenë e bashkimit.
Kjo është forca e tij më e madhe dhe obligimi më i madh.
Atdheu ynë është atdhe dhe shtëpi e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehve, boshnjakëve dhe të gjithë të tjerëve që e ndiejnë si atdhe të tyre.
Të gjithë ata e formësojnë atë si një mozaik që shkëlqen në diversitetin e tij, por edhe në unitetin e tij.
Detyra jonë sot është ta avancojmë këtë unitet, të ndërtojmë besimin mes komuniteteve dhe të tregojmë se shteti është në mënyrë të barabartë nënë për të gjithë qytetarët.
Kjo nuk arrihet me fjalë, por me vepra.
Me shanse të barabarta në arsim.
Qasje e barabartë në institucione.
Barazi në jetën e përditshme.
Vetëm kështu do të krijojmë një shoqëri në të cilën askush nuk do të ndihet i harruar dhe të gjithë do të ndihen të vlerësuar dhe të respektuar.
Të mos lejojmë që dikush të na ndajë sipas fesë, gjuhës apo përkatësisë etnike, sepse vetëm së bashku mund ta ruajmë paqen, ta ndërtojmë prosperitetin dhe ta ruajmë të ardhmen e atdheut tonë.
Ne flasim për Maqedoninë në të kaluarën, për luftëtarët, idealet dhe fitoret e saj, por flasim edhe për të tashmen.
Për sfidat.
Për reformat.
Për luftën e përditshme për të krijuar një sistem më të mirë dhe një jetë më të mirë.
Por sot dua të mendojmë dhe ta planifikojmë të ardhmen tonë të përbashkët, ku atdheun do ta dallojmë për nga rendi, puna dhe përparimi.
Nga institucionet që do të jenë shërbim i qytetarëve, e jo barrë.
Në të cilën puna do të vlerësohet, të rinjtë do të qëndrojnë, dhe familjet do të kenë siguri dhe perspektivë.
E shoh si një shtet që investon në dije, në teknologji të reja dhe inovacione, që krijon një ekonomi vendase konkurruese në tregun evropian, që ndërton infrastrukturë moderne dhe një mjedis të pastër jetësor.
Një vend që nuk pret që t’i ndodhë e ardhmja, por e krijon vetë.
Një Maqedoni të tillë nuk do ta ndërtojë asnjë njeri vetë, por të gjithë së bashku – shteti, ekonomia, shkenca, familjet, të rinjtë.
Kjo Maqedoni duhet të jetë një vizion që do të bashkojë të gjitha brezat: nga ata që kanë luftuar për të, deri te ata që do ta udhëheqin në kohërat e reja.
Të krijojmë një vend që do të jetë shembull i stabilitetit dhe suksesit, një vend që do të mbetet vetëvetja dhe krenar, por edhe modern dhe evropian.
Ky është atdheu që e shoh para nesh – shtet që ecën në mënyrë sigurt përpara, me kokën lart dhe me zemrën drejtuar nga e ardhmja.
Të nderuar të pranishëm,
Fuqia e shteteve të përparuara matet me unitetin e tyre. Mua më vjen vërtet keq që tek ne ka faktorë të cilët rregullisht e lënë pas dore ndërtimin e tij.
Kështu do të jetë edhe sot, kur rrallë do të dëgjoni një urim nga kundërshtarët tanë politikë për Ditën e Luftës Revolucionare. Duke mos kuptuar se VMRO si organizatë nuk na përket vetëm neve, por gjithë popullit maqedonas, të gjithë qytetarëve në Maqedoni.
Dhe sjellja e tyre e tillë konfirmon se ne si forcë politike duhet të përmirësohemi vetë dhe të organizohemi nga brenda dhe t’u përgjigjemi sfidave.
Në periudhën që vijon, Qeveria ka një qëllim kryesor, dhe kjo është beteja dhe lufta për standard jetësor dhe për një jetë më të mirë.
Dua të dini se kurrë nuk ndaluam me këtë qëllim dhe për këtë punuam edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve, për çka dje nga Londra sjell lajme të mira për një investim të ri.
Kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kompaninë amerikano-britanike e cila do të investojë në industrinë ushtarake në Maqedoni deri në 150 milionë dollarë. Do të kemi 1,000 vende të reja pune me paga të larta, dhe ky është vetëm fillimi i këtij investimi i cili më vonë do të zhvillohet dhe do të arrijë në një miliardë euro.
Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për ekonominë maqedonase.
Na pret shumë punë dhe viti i ardhshëm vërtet dëshiroj të jetë vit i ekonomisë. Një vit kur populli do të ndiejë më shumë para në kuletë dhe për këtë si Qeveri do të bëjmë gjithçka që të ndodhë.
Jeta më e mirë është beteja e gjeneratës sonë dhe këtë duhet ta sigurojmë vetë me forcat tona. Askush nuk do ta bëjë këtë për ne nga jashtë.
Duhet ta bëjmë ekonominë maqedonase më konkurrente dhe me më shumë vlera të shtuara. Lufta për çdo punëtor është lufta ime dhe ky do të jetë prioriteti numër një.
Vjen koha e ekonomisë dhe luftës për standard. Dhe kjo do të jetë detyra jonë kryesore.
Të dashur miq,
Ka kaluar më shumë se një shekull që kur disa të rinj në Selanik ndezën shkëndijën e mendimit revolucionar maqedonas.
Por shpirti i tyre nuk u plak. Ai shpirt jeton në çdo brez që beson se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Jeton në çdo njeri që nuk pranon padrejtësi, në çdo qytetar që beson se ky vend meriton më shumë.
Sepse VMRO nuk është vetëm një faqe në histori – është rrënjë, ideal, është besëlidhje. Organizata që e rriti këtë shtet. Shkolla në të cilën mësuam se çfarë do të thotë të jesh i ndershëm, të jesh i guximshëm, të jesh vetvetja.
Sot, ato vështrime nga portretet në muze nuk na shohin me krenari nëse ne nuk e vazhdojmë luftën e tyre, e ajo është lufta për dinjitetin, për drejtësinë, për diellin maqedonas që nuk perëndon kurrë. Prandaj, kjo ditë nuk është vetëm një kujtim. Është një thirrje. Një thirrje për të qenë më të mirë. Për të qenë një popull që do të ndërtojë të ardhmen e tij me të njëjtën vendosmëri me të cilën ata filluan luftën e tyre.
Sot, atdheu ynë nuk është më një ëndërr në librat e dikujt – ai është një shtet me emrin e vet, gjuhën e vet, krenarinë e vet, të ardhme. Por pikërisht për këtë, obligimi ynë është më i madh. Ta ruajmë atë shtet nga ndarjet, nga urrejtja, nga cinizmi dhe apatia. Ta ruajmë me dashuri, me vizion dhe me përgjegjësi. VMRO-ja na la trashëgiminë më të madhe – besimin se asgjë nuk është e pamundur kur populli është i bashkuar. Ky besim është themeli mbi të cilin ndërtojmë Atdheun tonë – të diturisë, punës, shanseve të barabarta dhe drejtësisë për secilin. Dhe kur ndërtojmë shkolla, spitale, fabrika dhe rrugë – ne nuk ndërtojmë vetëm institucione, por e vazhdojmë revolucionin, në paqe, me vepra, me mendje, me zemër. Çdo gjeneratë ka betejën e saj. Beteja e tyre ishte për shtet, ndërsa e jona është për vlera. Ky shtet duhet të jetë vend ku do të mbizotërojë rendi, respekti, drejtësia dhe dinjiteti. Një vend ku të rinjtë nuk do të largohen, por do të krijojnë. Një vend ku gjuha maqedonase do të dëgjohet me krenari, e jo me frikë.

Dhe pikërisht për këtë, në këtë ditë të shenjtë, dëshiroj t’i premtojmë njëri-tjetrit – se nuk do ta harrojmë amanetin e atyre që na dhuruan lirinë. Se do të qëndrojmë drejt kur është më vështirë, dinjitoz kur është më lehtë dhe të bashkuar kur dikush do të provojë të na ndajë. T’i premtojmë njëri-tjetrit se do ta ruajmë Maqedoninë me të njëjtën dashuri me të cilën ata e ëndërruan. Dhe se kur gjeneratat e ardhshme të flasin për ne – do të thonë se kjo gjeneratë nuk e tradhtoi atdheun e saj. Prandaj sot, kur e festojmë këtë ditë të shenjtë, të mos flasim vetëm për të kaluarën, por për të ardhmen që jemi të detyruar ta ndërtojmë. Ta bëjmë Maqedoninë një shtet me vlera, me rend dhe ligj, me një popull që beson në vete. Të ndërtojmë një vend ku të rinjtë do të qëndrojnë, ku çdo punë do të shpërblehet, ku askush nuk do të harrohet. Gjenerata jonë ka të njëjtën detyrë që e kishin ata – ta mbrojë Maqedoninë, por në një mënyrë tjetër, të re: me dituri, me integritet, me mençuri dhe me vizion. Sepse sot patriotizmi nuk matet me fjalë, por me vepra. Me çdo urë që do ta ndërtojmë, me çdo shkollë që do ta ngrisim, me çdo jetë që do ta përmirësojmë. Kështu vazhdohet vepra e Organizatës. Kështu tregohet dashuri për Maqedoninë. Jo me fjalë që kumbojnë me zë të lartë, por me vepra që zgjasin në heshtje.
Sot, kur e shohim flamurin të valëvitet, duhet të dimë se ai nuk është vetëm një copë pëlhurë. Ai është dëshmi për të gjithë ata që ranë, që ne sot të qëndrojmë me kokën lart. Ai është një amanet që duhet ta ruajmë.

Prandaj, në këtë 23 Tetor, t’i premtojmë njëri-tjetrit: se nuk do ta tradhtojmë sakrificën e tyre, se nuk do ta tradhtojmë ëndrrën e tyre. Të premtojmë se do ta ruajmë Maqedoninë – në mendimet tona, në veprimet tona, në zemrat tona.

Dhe kur dikush të pyesë çfarë është VMRO-ja, të mund të përgjigjemi me krenari: jemi ne – populli që nuk u nënshtrua kurrë, populli që e do atdheun e vet më shumë se jetën.

Rroftë ideja që nuk shuhet kurrë!
Sepse ideja e VMRO-s është e përjetshme – ajo nuk jeton në libra, por në veprat tona, në ëndrrat tona, në dashurinë tonë për këtë tokë.

Rroftë VMRO-ja!
Rroftë populli që kurrë nuk u nënshtrua, dhe që e di se faqet më të bukura të historisë sonë – ende nuk janë shkruar!

Zoti e bekoftë Maqedoninë, një shtet i ndërtuar me besim, me gjak dhe me ëndërr!
Ju faleminderit.]