Mexhiti në Saraj: Me VLEN-in fitojnë shqiptarët, në krye me Muhamed Elmazin fitorja në Saraj është e vulosur

Në një atmosferë entuziazmi të madh në Saraj, njëri nga liderët e koalicionit VLEN dhe kandidati për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në mbështetje të kandidatit për kryetar komune, Muhamed Elmazit. Para një salle të mbushur përplot, Mexhiti theksoi se energjia e të rinjve dhe përkushtimi i Elmazit janë
garanci e fitores në Saraj.

“Kordoni i të rinjve jashtë, i thash Muhamed Elmazit vetëm me këto me i fut brenda mbushet salla, ndërsa kur hyra këtu brenda e pash vulën e fitores në Saraj në krye me Muhamed Elmazin,” – u shpreh Mexhiti.

Ai rikujtoi se qeverisja e koalicionit VLEN në vetëm 15 muaj ka dëshmuar kapacitet, integritet dhe vizion të qartë për të sjellë konkurrencë të ndershme në politikën shqiptare.

“Ne si qeverisje vetëm për 15 muaj dëshmuam se dimë të biem konkurrencë në kampin politik shqiptar, dimë të qeverisim pa korrupsion. Ato nja dy afera korruptive ishin të atij i cili u bashkua me ato të korruptuarit
dhe ato të listave të zeza, dhe këtu vetëm u pastrua rruga,” – theksoi

Mexhiti, duke shtuar se “në këto zgjedhje lokale VLEN-i nuk del për të fituar VLEN-i, me VLEN-in fitojnë shqiptarët.”

Në fjalimin e tij, Mexhiti kritikoi ashpër strukturat e vjetra të BDI-së, të cilat sipas tij tashmë janë dorëzuar dhe fshehin emrin pas frontesh dhe emërtimesh të ndryshme.

“Vetë u përmend këtu se xhaxhi Ali e ka dorëzu lojën në Saraj, ja ka dorëzu Arben Taravarit kandidatin dhe xhaxhi Ali frikesohet me ta përmend BDI-në. Nuk është aty as ngjyra e BDI-së, as emri i BDI-së, po e mbështjellin herë me Fronti Evropian, herë me Fronti Kombëtar, herë me Besëlidhje, herë me këtë të fundit qesharake AKI,” – tha ai.

Mexhiti bëri thirrje të drejtpërdrejtë për anëtarët e sinqertë të BDI-së që dikur e kishin ideal UÇK-në, ta braktisin “anijen që po fundoset” dhe të bashkohen me VLEN-in.

“Thirrje për anëtarët e sinqertë të BDI-së, BDI UÇK-së ta braktisin atë anije që po fundoset dhe të shkojnë në rradhët e Muhamed Elmazit, sepse aty do ta kenë shërbetorin e popullit, idealin e vërtetë, njeriun i cili
i ka përvesh krahët. Muhamed Elmazi do e ketë mbrapa qytetin e Shkupit,” – theksoi Mexhiti.

Mexhiti vuri në dukje përkushtimin e kësaj qeverie ndaj komunave shqiptare dhe respektimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, duke e krahasuar me dështimet e së kaluarës.

“Nuk mund të folë më xhaxhi Ali për frymën e Marrëveshjes së Ohrit, sepse nuk ishte në frymën e Marrëveshjes së Ohrit qeverisja e tij me Nikolla Gruevskin, kur 1 miliardë euro i ndau për luana, kuaj e shtazë të ndryshme. Kjo qeveri, si asnjë deri më tash, 1 miliardë euro ndan për komunat, ndan për decentralizimin që është shtyllë më e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit, dhe 30 përqindëshi i këtyre mjeteve, 300 milionë euro ,shkon në komunat shqiptare,” deklaroi ai.

Në fund, Mexhiti u shpreh se VLEN-i e meriton besimin e qytetarëve edhe për zgjedhjet lokale, duke u shprehur se për opozitën është koha e reflektimit dhe e pastrimit.

“VLEN meriton të fitojë besimin edhe për qeverisje lokale. Nuk bëhet nami që këto tjerët kanë shkuar në opozitë më shumë se një vit. Edhe opozita ka punë të mira xhaxhi Ali, aty pastrohet gjaku, e sheh cilin e ke pasur për karrierë, cilin për ideal, cilin të sinqertë e cilin jo. Mos bëj huxhum të kthehesh në qeveri sepse shqiptarët kanë vendosur që VLEN-i të jetë këto katër vite në qeveri,” potencoi Mexhiti gjatë fjalimit të tij.

Mexhiti në Saraj: Me VLEN-in fitojnë shqiptarët, në krye me Muhamed Elmazin fitorja në Saraj është e vulosur
Mexhiti në Saraj: Me VLEN-in fitojnë shqiptarët, në krye me Muhamed Elmazin fitorja në Saraj është e vulosur