Meksikë, rritet në 64 numri i viktimave nga përmbytjet

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Meksikë është rritur në 64, dhe numri i të zhdukurve është rritur në 65, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të bërë nga Koordinatori Kombëtar për Mbrojtjen Civile (CNPC) u njoftua se numri i të vdekurve është rritur që nga java e kaluar për shkak të shirave të rrëmbyeshëm të shkaktuar nga stuhitë tropikale Priscilla dhe Raymond.

Në deklaratë gjithashtu vihet në dukje se numri i të vdekurve në shtetet Veracruz, Puebla, Hidalgo, Queretaro dhe San Luis Potosí është rritur në 64, dhe numri i të zhdukurve është rritur në 65.

Në konferencën e saj të përditshme për shtyp në Pallatin Kombëtar, Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, njoftoi se ekipet janë mobilizuar për të ndihmuar qytetarët e prekur nga përmbytjet në shtete.

Sheinbaum deklaroi se ekipe të reja janë dërguar në shtete për të ofruar më efektivisht ndihmë, të tilla si veshmbathje, produkte higjienike, ujë të pijshëm dhe ushqim. “Ne do t’ia kushtojmë gjithë zemrën tonë përpjekjeve të rimëkëmbjes dhe do t’i mbështesim viktimat”, shtoi ajo.

Sipas medias meksikane, numri i njerëzve të prekur nga katastrofa më e keqe e përmbytjeve në vitet e fundit ka tejkaluar 250.000 dhe numri i shtëpive të dëmtuara ka tejkaluar 50.000.