Maduro akuzon SHBA-në se po përpiqet për ndryshimin e regjimit në Venezuelë

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, akuzoi SHBA-në për orkestrimin e një operacioni për ndryshimin e regjimit, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një ceremonie në kryeqytetin Karakas, Maduro tha se presidenti i SHBA-së Donald Trump ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione në Venezuelë nën pretekstin e “luftimit të trafikut të drogës”.

“CIA është dërguar në Venezuelë për ndryshimin e regjimit. Që nga krijimi i saj, asnjë qeveri amerikane nuk e ka urdhëruar kaq hapur këtë agjenci të vrasë, përmbysë ose shkatërrojë vende të tjera”, tha ai.

Maduro akuzoi Washingtonin për përpjekje për ndryshimin e regjimit dhe pretendoi se CIA ka komplotuar kundër Venezuelës për 26 vjet, duke shtuar se “të gjitha grushtet e shtetit në Amerikën Latine” mbështeteshin nga CIA.

“Për herë të parë në historinë tonë, një administratë amerikane deklaron hapur qëllimin e saj për të sulmuar një vend tjetër. Ata synojnë të trembin, përçajnë dhe demoralizojnë popullin tonë përmes luftës psikologjike. Por, kombi ynë mbetet i bashkuar dhe i vendosur”, tha ai.

“Për komplotistët, imperialistët dhe mediat e tyre, kam lajme të këqija: udhëheqja politike dhe ushtarake e revolucionit nuk ka qenë kurrë më e bashkuar për të mbrojtur atdheun tonë”, tha presidenti i Venezuelës.

Maduro tha se 6.2 milionë qytetarë janë pjesë e Sistemit Kombëtar të Integruar të Mbrojtjes dhe do t’i rezistojnë çdo kërcënimi të jashtëm. Ai kritikoi më tej politikat ndërhyrëse të Washingtonit, duke thënë: “Nëse Venezuela nuk do të zotëronte naftë, gaz, ar, tokë pjellore dhe ujë, imperialistët as nuk do ta shikonin vendin tonë”.

Trump më parë ka konfirmuar dhënien e autoritetit CIA-s për të kryer operacione në Venezuelë si pjesë e fushatës së administratës së tij kundër narkotikëve. Në muajt e fundit, SHBA-ja ka vendosur një forcë detare, duke përfshirë nëndetëse dhe anije luftarake, pranë brigjeve të Venezuelës sipas direktivës.

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth ka deklaruar se forcat amerikane janë “të përgatitura për operacione në Venezuelë, përfshirë ndryshimin e regjimit”. Në përgjigje, Maduro ka njoftuar mobilizimin e 4.5 milionë forcave të milicisë për mbrojtjen e vendit, duke theksuar gatishmërinë për zmbrapsur çdo lloj sulmi.

Ndërkohë, sulmet e vazhdueshme të SHBA-së ndaj disa anijeve pranë brigjeve të Venezuelës, nën arsyetimin e “luftës kundër narkotikëve”, shkaktuan reagime të forta brenda dhe në opinionin ndërkombëtar, duke i quajtur këto veprime si shkelje të ligjit ndërkombëtar.