LSDM: Presim fitore në tetë komuna, në pesë komuna zhvillohet garë e ngushtë!

Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijevikj, në një konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, deklaroi se dita e zgjedhjeve ka kaluar përgjithësisht në mënyrë të qetë, por janë evidentuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh të procesit zgjedhor.

“Ka pasur keqpërdorim të listës zgjedhore, përpjekje për blerje votash, kërcënime dhe shantazhe të drejtpërdrejta, shkelje të heshtjes zgjedhore përmes fushatës aktive, si dhe parregullsi gjatë vetë procesit të votimit”, tha Dimitrijevikj.

Ai përmendi raste konkrete: në Lozovë është parandaluar një përpjekje për blerje votash, ndërsa në Kumanovë dhe Gjorçe Petrov ka pasur raste ku një votuesi i janë dhënë më shumë fletëvotimi, përfshirë një rast ku kryetarja e vendvotimit i ka dhënë pesë fletëvotime bashkëshortit të saj. Në Studeniçan, anëtarët e vendvotimit njëkohësisht kanë qenë në listën këshilldhënëse të VMRO-DPMNE-së, ndërsa në Prilep dhe Kriva Pallankë janë regjistruar kërcënime dhe presione ndaj aktivistëve dhe kandidatëve të LSDM-së.

Dimitrijevikj theksoi edhe parregullsi të tjera: përdorimi i objekteve komunale për fushatë të DPMNE-së në Negotinë, agjitacion nga persona me automjete zyrtare në Bogdanc, prani të komandantëve dhe shefave të policisë në fushatë në terren, emërime të të afërmve të kandidatëve në komisionet zgjedhore komunale dhe kërcënime nga kandidatët në Gradsko. Po ashtu, ka pasur keqpërdorim të të dhënave personale për votim në emër të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm në Jegunovcë, si dhe pengim të punës së ekipeve gazetareske në Karposh, Ohër dhe Tetovë.