Lituania e thërret diplomatin rus, pas shkeljes së hapësirës ajrore nga dy avionë ushtarakë

Lituania e ka thirrur të ngarkuarin me punë të Ambasadës e Rusisë në Vilnius në një takim sqarues, si dhe e ka kundërshtuar fuqishëm atë që e quajti hyrje të dy avionëve rusë në hapësirën e saj ajrore më 23 tetor.

Ushtria lituane tha në një komunikatë se një avion luftarak, Sukhoi SU-30, dhe një avion cisternë, IL-78, nga enklava ruse e Kaliningradit kaluan në hapësirën ajrore të Lituanisë për 18 sekonda, mbase gjatë stërvitjeve për furnizim me karburant në ajër.

Vilniusi i kërkoi Rusisë të “shpjegojë menjëherë” arsyet e shkeljes së hapësirës ajrore të Lituanisë dhe t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për ta parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”, thuhej në komunikatë.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, e quajti këtë “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial të Lituanisë”.

Kjo shkelje “dëshmon edhe një herë rëndësinë e forcimit të gatishmërisë për mbrojtjen ajrore evropiane”, tha ai në X.