Liburn Aliu emërohet drejtor i Portit të Durrësit

Ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”, Liburn Aliu, raportohet se është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.

Emërimi i Aliut është bërë me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.

Ai dha dorëheqje më 27 gusht 2025 nga posti i ministrit në Qeverinë e Albin Kurtit, vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Në një reagim të bërë gjatë verës, Aliu kishte kontestuar publikisht zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit, duke e cilësuar atë si “të papranueshme” dhe duke theksuar se pikërisht ky zhvillim ishte arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Qeveria shqiptare apo vetë Aliu lidhur me këtë emërim, por burime të afërta me procesin pohojnë se ai ka nisur procedurat e marrjes së detyrës.