A është vetëm një profesor i FSHI-së me titull akademik të fallcifikuar? Apo ka më shumë?
Në fakt, Shaqir Fetai e ka listën me emrat e të gjithë teologëve, profesorëve e akademikëve
të BFI-së që kanë diploma të blera, të fallcifikuara e të kota por që, ndaj tyre nuk
ndërmerr masa përderisa do t’i shprehin lojalitet dhe do të rrinë sus karshi angazhimeve
shkatërrimtare që po i ndërmerr kundër BFI-së
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Në një shoqëri ku dija zëvendësohet me servilizëm dhe ku titujt akademikë bëhen monedhë për
tregti pushteti, arsimi humb kuptimin e vet më të thellë. Universitetet, që dikur ishin hapësira të
mendimit të lirë e të kërkimit shkencor, sot shpesh janë kthyer në pasqyra të deformuara të vetë
sistemit shoqëror që i mban gjallë. Kjo nuk është vetëm krizë strukturore, është një krizë etike
dhe morale, një rënie e besimit në vetë idenë e universitetit si institucion i dijes dhe së vërtetës.
Një shembull i qartë i kësaj gjendjeje shqetësuese është Fakulteti i Shkencave Islame, i cili sivjet
nuk e ka nisur vitin akademik në datën e përcaktuar (1 tetor), si gjithë institucionet e tjera
universitare, por e ka shtyrë për disa ditë për shkak të mungesës së kuadrit akademik. Tre lëndë
bazë të këtij fakulteti kanë mbetur të pambuluara, çka tregon jo thjesht një problem organizativ,
por një krizë serioze të kapaciteteve që vjen si pasojë e vendimeve të nxituara, përjashtimeve të
pakuptimta dhe mungesës së transparencës në menaxhim. Në fakt, Shaqir Fetai, ky farë
instalacioni banal në krye të BFI-së, na paska zbuluar se ish-dekani i FSHI-së, dr. Shaban
Sulejmani, profesori që mbulonte tri lëndë më të rëndësishme të këtij fakulteti, na paska qenë me
diplomë të fallcifikuar! Dhe, kur e zbuloi këtë “trishtim”? Vetëm pasi ish-dekani i doli haptazi se
do të jetë ai që do t’ia dridhë foteljen e reisit derisa ta shporrë nga ai vend i pamerituar. Do me
thënë tash e pesë vite Shaqir Fetai e paguan personin në fjalë si doktor shkence, plotë tetë vite sa
ka qenë anëtarë i Rijasetit Shaqir Fetait nuk i ka interesuar diploma e dr. Sulejmanit por, vetëm
tani i hy në punë! A është vetëm një profesor i FSHI-së me titull akademik të fallcifikuar? Apo
ka më shumë? Në fakt, Shaqir Fetai, e ka listën me emrat e të gjithë teologëve, profesorëve e
akademikëve që kanë diploma të blera, të fallcifikuara e të kota por që, ndaj tyre nuk ndërmerr
masa përderisa do t’i shprehin lojalitet dhe do të rrinë sus karshi angazhimeve shkatërrimtare që
po i ndërmerr kundër BFI-së. Ajo diplomë e doktoraturës është përkthyer, është nostrifikuar dhe
ka marrur vulën apostil nga organet gjegjëse të shtëtit të Maqedonisë së Veriut, kurse, del Shaqir
Fetai, me nuhatjen e stërholluar dhe e poshtron jo vetëm doktorin e nderuar por edhe të gjitha
pushtetet e kaluara të këtij Shteti. Do me thënë, shteti është i korruptuar por jo dhe Shaqir Fetai!
Në një vend ku mungesa e profesorëve justifikohet me shtyrje të afateve ligjore, ndërsa
institucionet përgjegjëse heshtin, lind një pyetje thelbësore: a mund të ruhet integriteti i arsimit të
lartë në kushte ku ligji zbatohet sipas interesit dhe jo parimit?
Nëse një fakultet nuk respekton afatet dhe standardet e Ministrisë së Arsimit, atëherë vetë
kuptimi i akreditimit dhe i cilësisë akademike bie nën dyshim. Këtu nuk kemi të bëjmë me një
rast teknik, por me një simptomë të sistemit: dështimin për të ndërtuar institucione të
qëndrueshme mbi bazën e meritës dhe dijes.
Apo, mbase Shaqir Fetai ka filluar të kuptojë se akreditimi i këtyre vatrave akademike islame
(FSHI dhe Medrese) ka qenë gabim fatal dhe se duhet të jenë plotësisht nën kontroll dhe program
arsmior të hartuar nga BFI-ja. E ka kuptuar që me këtë strategji Shaqir Fetai vetëm hoxhallarë
nuk po prodhon por, me paratë e popullit, pa një metalik nga shteti, po përgatit kuadro për
nevojat e administratës shtetërore!
Kjo situatë shfaq edhe një fytyrë tjetër të rrezikshme: universiteti i frikës dhe i lojalitetit të
detyruar. Në vend që të jetë hapësirë e debatit dhe mendimit kritik, fakulteti kthehet në strukturë
hierarkike, ku zëri ndryshe ndëshkohet dhe profesionalizmi sakrifikohet për t’u ruajtur “rend i
brendshëm”. Një institucion arsimor që lejon të mbetet pa profesorë për shkak të lojërave të
pushtetit, e humb dinjitetin dhe qëllimin e vet.
Në këtë panoramë, heshtja e organeve shtetërore është bashkëfajësi. Nëse Ministria e Arsimit,
Agjencia e Akreditimit dhe organet inspektuese nuk reagojnë ndaj shkeljeve të tilla, atëherë
legjitimohet kultura e papërgjegjësisë që ka lëshuar rrënjë të thella në të gjitha instancat e BFI-së
që kur aty u instalua në mënyrë të pistë Shaqir Fetai. Një sistem që nuk e sanksionon
mosrespektimin e ligjit, është vetë i paligjshëm. Dhe kur paligjshmëria bëhet normë, titulli
akademik humb çdo kuptim moral dhe shkencor.
Në fund, problemi nuk është vetëm që një fakultet e shtyn fillimin e vitit. Problemi është se e
gjithë struktura qëndron mbi themele të dobëta, të ndërtuara me logjikën e shërbimit ndaj
interesit, e jo ndaj dijes.
Nëse universiteti nuk mbetet i lirë, i drejtë dhe i merituar, atëherë ai pushon së qeni universitet,
dhe bëhet pjesë e mekanizmit të mashtrimit shoqëror, ku diploma nuk dëshmon dije, por bindje.
Në thelb, arsimi është kujtesë morale, kujtesë e përgjegjësisë ndaj dijes dhe së vërtetës. Një
fakultet që e vonon fillimin e vitit akademik jo për shkak të fatkeqësive natyrore, por për shkak
të boshllëqeve të krijuara nga vetë sistemi, është pasqyrë e asaj që ndodh në tërë shoqërinë:
mungesë e vetëdijes për dijen. Ashtu si një trup që ngordh kur nuk qarkullon gjaku, edhe një
shoqëri vdes ngadalë kur dija nuk qarkullon lirshëm, kur titujt blihen e dhurohen, kur profesorët
zëvendësohen me ushtarë të bindur.
Në kohë të tilla, mbrojtja e integritetit akademik bëhet akt moral, jo thjesht administrativ. Sepse
aty ku mbaron ndershmëria e dijes, fillon epoka e gënjeshtrës. Dhe kur e vërteta degradohet në
dekor, universiteti pushon së qeni dritë e mendjes dhe shndërrohet në pasqyrë të errësirës sonë
kolektive.
Vetëm kur dija të rifitojë dinjitetin e saj, kur diploma të jetë dëshmi e punës dhe jo e bindjes,
atëherë mund të themi se kemi rikthyer shpresën në institucionin më të shenjtë të qytetërimit:
universitetin, rrjedhimisht, edhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.