Kina 2026-2030: Çfarë rezervon për ekonominë botërore?

Kina ndodhet tani në prag të përmbushjes së objektivave dhe detyrave kryesore të Planit të 14-të Pesëvjeçar 2021-2025. Ky plan shënoi një periudhë të rëndësishme në zhvillimin e ekonomisë së dytë më të madhe të globit.

Periudha e Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) do të jetë kritike, ndërsa Kina punon për të përforcuar themelet dhe për të ecur përpara në të gjitha frontet.
Në bisedë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ekspertët e njohur shqiptarë të ekonomisë, Prof. Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Evropian të Tiranës(UET), Prof.As.Dr. Klodian Muço ZvDekan, Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë dhe Eduard Gjokutaj, ekspert pranë Altax, analizuan prirjet e sotme të ekonomisë kineze dhe pritshmëritë e së ardhmes .

Ata nënvizuan ndër të tjera se ne fillim të vitit 2026, do të miratohet Plani i 15-të pesëvjeçar, një dokument strategjik që do ta udhëheqë deri në fund të dekadës. Ky plan nuk është thjesht një kornizë ekonomike. Ai përfaqëson një strategji për të përcaktuar rolin e Kinës në rendin e ri global. Ky rend që po formësohet mes tensioneve tregtare, revolucionit teknologjik dhe sfidave mjedisore të shekullit XXI.

Në ndryshim nga dekadat e mëparshme, ku shifrat e rritjes ekonomike dhe të eskporteve ishin përparësi absolute, tani po sinjalizohet një qasje më të matur, me rritje të qëndrueshme dhe të balancuar”, me objektivin e ruajtjes së një norme mesatare rritjeje ekonomike prej 4,5–5 përqind në vit.

Në këtë fazë, vendi nuk synon më të jetë “fabrika e botës”, por motorri i inovacionit global. Rritja e qëndrueshme shihet si themel për stabilitetin social dhe tranzicionin drejt një modeli të ri zhvillimi, më të gjelbër dhe më të digjitalizuar.

Në qendër të Planit të 15-të do të jetë vetë-mjaftueshmëria teknologjike. Plani synon rritje të shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim mbi 3,5% të PBB-së, për të forcuar kapacitetet kombëtare në gjysmëpërçues, inteligjencë artificiale, kuantikë, energji të re dhe hapësirë. Kina kërkon të ulë varësinë nga importet perëndimore, duke ndërtuar zinxhirë furnizimi të pavarur dhe një ekosistem inovativ, që e mbron nga sanksionet teknologjike.

Një tjetër shtyllë e planit të 15-të do të jetë nxitja e konsumit të brendshëm, si motorr i rritjes. Kjo nënkupton rritje të të ardhurave reale të familjeve, ulje të pabarazive midis qyteteve dhe fshatrave, si dhe forcim të sistemit të sigurimeve shoqërore. Vlerësohet paraprakisht se rreth 10 trilion juanë (1.4 trilion dollarë) hapësirë ​​tregu do të shtohen gjatë pesë viteve të ardhshme, duke çliruar një vrull të jashtëzakonshëm zhvillimi dhe duke sjellë përfitime të konsiderueshme për jetesën e njerëzve.

Gjithashtu specialistët e ekonomisë gjatë diskutimeve theksuan se po synohet një transformim të brendshëm: nga një ekonomi e bazuar te eksportet dhe ndërtimet, në një ekonomi të orientuar drejt konsumit dhe shërbimeve cilësore.

Plani 2026–2030 do të thellojë kursin drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2060.

Në këtë kuadër, do të investohen qindra miliarda dollarë në energji të pastër, në atë diellore, me erë, bërthamore dhe hidrogjen.

Industria e rëndë dhe transporti do të kalojnë në standarde të reja të efikasitetit energjetik, ndërsa qytetet do të ristrukturohen për të qenë më të qëndrueshme. Kina synon të jetë lider botëror i ekonomisë së gjelbër, një rol që do t’i japë avantazh edhe në tregjet ndërkombëtare të karbonit.

Një prioritet i dukshëm do të jetë balancimi rajonal duke synuar të shmanget ndarja e thellë mes rajoneve të zhvilluara bregdetare dhe atyre të brendshme që kanë mbetur prapa. Përmes investimeve publike, nxitjes së urbanizimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit bujqësor modern, qeveria kërkon të krijojë një ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe të integruar.

Në të njëjtën kohë, fokusi mbetet te siguria ekonomike: mbrojtja e zinxhirëve strategjikë të furnizimit, stabiliteti financiar dhe pavarësia energjetike. Në një botë të pasigurt, vendi po ndërton themelet e së ardhmes së qëndrueshme- u nënvizua gjatë bisedës nga specialistët pjesmarrës në tryeze.