Kërcënon ta fshijë Belgjikën nga harta! Medvedev quan torpedon bërthamore si ‘armë të Ditës së Gjykimit’

Kryetari i Kremlinit, i akuzuar për krime lufte dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, e quajti torpedon bërthamore (Poseidonin) një “armë të ditës së gjykimit” dhe kërcënoi se Belgjika do të zhdukej nëse Rusia do ta testonte pajisjen pranë brigjeve të saj. Me daklaratën e tij, Medvedev përdori mediat sociale për të sulmuar Perëndimin.

“Ndryshe nga Burevestnik, Poseidon mund të konsiderohet një armë e vërtetë e ditës së fundit të botës”, shkroi ai në X, duke e shoqëruar postimin me një emoji me rrufe dhe kafkë.

Ai veçoi Ministrin belg të Mbrojtjes, Theo Francken, i cili më parë tha se NATO do ta fshinte Moskën nga faqja e dheut nëse Putini do të përpiqej të përdorte një armë të re kundër Evropës. Në përgjigje të një komenti nën postimin e tij, Medvedev kërcënoi se Belgjika do të zhduket nëse Rusia teston torpedon Poseidon pranë bregdetit të saj.

Më 26 tetor, Kremlini njoftoi se kishte testuar Burevestnik, një raketë kruiz me energji bërthamore me rreze veprimi të pakufizuar. Testi përfshinte gjithashtu lançime stërvitore të raketave balistike ndërkontinentale Yars dhe Sineva, si dhe dy raketave kruiz Kh-102. Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë pretendoi se Burevestnik fluturoi 14,000 kilometra dhe qëndroi në ajër për rreth 15 orë.

Ndërsa, më 29 tetor, Vladimir Putin u mburr me lançimin e një droni nënujor me motor Poseidon, duke pretenduar se rendimenti i tij e tejkalon ndjeshëm atë të raketës Sarmat të Rusisë. Po atë ditë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të rifillonin testimet bërthamore, duke përmendur programet e testimit të vendeve të tjera. Ai shtoi se ndërsa denuklearizimi do të ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, rifillimi i testeve tani ishte i përshtatshëm.