“Keqtrajtoheshin, vendoseshin burra e gra në një dhomë dhe u jepeshin ushqime me afat të skaduar”, paraburgim për pronaret e shtëpive të të moshuarve në Shkup
“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë brenda kufijve të lejeve të lëshuara – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne. Përveç kësaj, kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion pune të rregullt dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime të qarta për ushqimet e shpërndara, siç kërkohej nga rregullat për funksionim dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues. Për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, ato u kishin marrë shuma të konsiderueshme parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet. Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje mendore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, thonë nga MPB.