Katastrofë ekologjike në Vardar, shishet plastike pushtojnë lumin

Në lumin Vardar sot lundronin vetëm disa shishe plastike, ndërsa shtyllat e urave kishin ndërpre lundrimin e një pjese të madhe të mbeturinave.

Reshjet e disa ditëve më parë, nxorën në sipërfaqe katastrofën ekologjike në Vardar i cili u mbulua me shishe dhe gjësende të tjera plastike, duke marrë pamjen e lumenjve më të ndotur në botë, ngjashëm me disa prej lumenjve në Indi.

Qytetarët thonë se dikur në këtë lum kanë mësuar notin, janë kënduar këngë për pastërtinë e ujit të Vardarit, por sot, thuajse me frikë kalojnë pranë tij, dhe druajnë se mund të marrin ndonjë infeksion nga mbeturinat në të.

“Katastrofë, e turpshme, ajo ndodhë nga popullata e jo nga tjerët. Çdoherë dal dhe shëtis rreth Vardarit dhe jam edhe peshkatar por kjo që po ndodhë është e turpshme për shtetin”, tha një qytetar.

”Unë jam çdo ditë rreth Vardarit, por çfarë të bëjmë, shumë mbeturina, e sidomos nën urat neper cepa ka shumë mbeturina, është e turpshme sepse kalojnë edhe turistë dhe e shohin atë gjendje në mes të Shkupit”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Do të rregullohet shpejtë. Kur? Pas zgjedhjeve”, u shpreh një qytetar.

“Në Ukrainë para luftës nuk kishte mbeturina si këtu, ishte pastër, nuk kishte mbeturina si këtu. Në Ukrainë 5 pikë për pastërtinë ndërsa këtu unë jap 3 pikë”, tha një qytetar ukrainas.

Për ndotjen e lumit Vardar, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor reagoi duke theksuar se shkaku kryesor i këtij problemi është niveli i pakënaqshëm i shërbimeve komunale, sidomos në zonat rurale. Sipas Ministrisë, në këto zona janë të pranishme deponi ilegale, për pastrimin e të cilave përgjegjëse janë njësitë e vetëqeverisjeve lokale dhe inspektoratet komunale. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor gjithashtu thanë se në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor, po punojnë për ndryshimet e ligjit për mbikëqyrje inspektuese, me qëllim krijimin e një sistemi më efikas kontrolli në fushën e mjedisit, ndërsa po ashtu apeluan deri tek komunat, ndërmarrjet publike si dhe qytetarët që të tregojnë përgjegjësi dhe të veprojnë së bashku për ruajtjen e pastërtisë së lumenjve dhe rrjedhave ujore. /Alsat.mk