“Kam lekë, jam i bukur dhe intelektual”, mjeku përndiqte gazetaren, zbulohen mesazhet: Jam burri i ëndrrave të tua, të dua dhe…!

Gazetarja sportive Albana Bejko ka rrëfyer për herë të parë historinë e saj të përndjekjes nga mjeku shqiptar nga Kosova, Behar Kamberi, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.

Bejko tregoi se përndjekja kishte nisur më shumë se një vit më parë dhe se situata ishte bërë aq e rëndë, sa ajo u detyrua të kërkonte ndihmën e institucioneve për ta ndaluar. Pas denoncimit të saj, autoritetet ndërhynë dhe arrestuan mjekun.

Në rrëfimin e saj, gazetarja publikoi edhe disa prej mesazheve kërcënuese dhe ngacmuese që ai i dërgonte vazhdimisht, ku i shprehej se “ishte burri i saj i ëndrrave” dhe “e donte shumë”, duke i kërkuar që të martoheshin.

“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua më kërkoi që të uleshim për kafe, në atë moment reagimi ishte instiktiv, i trembur, i thash ‘të lutem mu hiq qafe’. Kaluan 4 djem në atë moment, dhe kjo e trembi pak. Periudha intensive e përndjekjes ka qenë qershor i vitit të shkuar deri para pak ditësh, dhe unë më pas telefonave policinë”, tha ajo.

Bejko theksoi se vendosi ta bëjë historinë publike për të inkurajuar edhe gra të tjera që përballen me raste të ngjashme, të mos heshtin dhe të kërkojnë mbrojtje nga ligji.

Mesazhet

“Përshëndetje Albanë nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Ne të dy gjithnjë kemi komunikuar dhe do të komunikojmë mirë dhe shëndetshëm. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën.

Këto janë tiparet që përmbush kështu që mos hezito më. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë këtu në Prishtinë por edhe në Tiranë. Ku ti përsëris krejt gjërat ke me i pas dhe me i cu në vend, asgjë ska për të munguar.

Ti do vazhdosh të punosh si tani. Albanë më merr në konsideratë kur unë jam mashkull idealë që të bëj propozim për martesë. Pres reflektim nga ti.”

“Përshëndetje. Tashmë pasi që ne po njihemi që një kohë të gjatë dhe kështu kemi biseduar live kohë pas kohe, kemi bërë foto, kemi biseduar në telefon dhe të kam shkruar në email. Unë kam një ftesë për kafe me ty. Me qellim që të vazhdojmë komunikimin dhe të diskutojmë për së rrafshi në tavolinë.

Pasi që edhe ti ma ke konfirmuar kërkesën që na dy të pijmë kafe së bashku. Me rëndësi është që edhe ti me qën e kënaqur dhe me ndje veten tande mirë. Kur të konvenon dhe kur është mirë për ju. Jam në pritje, më lajmëro. Behari, Albana, më të mirat.”

“Përshëndetje Albana nga Behari. Është kënaqësi që u takova mbrëmë dhe u njoha për së afërmi me ty. Nderimi im është që bëra foto me ty. Shumë jam i lumtur që fola me ty dhe të çmoj shumë, moj vajza më e bukur e Shqipërisë. Dhe shpresoj që së shpejti të shihemi dhe të pimë edhe nga një kafe.

Të ftoj me ardh në Prishtinë. Ti gjithmonë më ke pëlqyer si person dhe besoj që do të kemi të mira. Me respekt nga Behari. Të dua shumë Albana.”