Juventusi i kërkon Tudorit të qetësohet, pas ‘shpërthimit’ të tij në Madrid

Raportohet se Juventusi i ka kërkuar Igor Tudor të rregullojë stilin e tij të komunikimit pas një serie shpërthimesh gjithnjë e më të tensionuara në konferencat për shtyp, kulmi i të cilave ishte shpërthimi i tij surprizë në Madrid këtë javë.

Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, hierarkia e klubit, përfshirë Damien Comolli, Giorgio Chiellini dhe François Modesto, nuk mbeti e kënaqur me tonin që trajneri përdori në prag të përballjes me Real Madrid në “Bernabeu”.

Kjo shënon një kontrast të fortë me javët e hershme të Tudor, kur ai energjizonte ambientin dhe fliste me ambicie. Në gusht, trajneri kishte deklaruar:

“Thonë se do të përfundojmë të katërtët, të pestët ose të gjashtët – kjo është vetëm një motivim. Juventus nuk fillon kurrë një sezon vetëm për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.”

Tani, megjithatë, tonet kanë ndryshuar. Në Madrid, kroati argumentoi se: “Nëse analiza është që ne jemi Juve dhe gjithmonë duhet të fitojmë, kjo nuk është një analizë e saktë,” ndërsa gjithashtu u ankua për gjyqtarët dhe kalendarin e ndeshjeve.

Klubi ka frikë se kjo retorikë rrezikon të krijojë alibi për skuadrën, në vend që të ngrejë moralin gjatë një periudhe negative.

Me Juve pa fitore në shtatë ndeshjet e fundit, mesazhi nga Continassa është i qartë: më pak tension në mikrofon, më shumë zgjidhje në fushë.