Hiqen ciriliket, në veri vendoset simboli “Mitrovica”

Një simbol i zemrës dhe shkronjat “Mitrovica” tani mbulojnë një rrugë në veri të vendit, në vend të simbolit të deritashëm që përmbante simbolin e zemrës dhe “K. Mitrovicu” në cirilike.

Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit të kësaj komune, Erden Atiq, ka thënë për KOHËN se bëhet fjalë për një projekt të komunës, me të cilin do të largohen shenjat cirilike gjithandej zonës së komunës.

Vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka nxitur menjëherë reagimin e partive politike serbe. Gjatë heqjes së këtij simboli dhe vendosjes së shkronjave “Mitrovica” në alfabetin latin, Lista Serbe ka realizuar një video zgjedhore duke kundërshtuar veprimin. Milan Radojeviq, kandidat i kësaj partie për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e 12 tetorit, ka akuzuar pushtetin duke thënë se janë “provokime të regjimit të Kurtit”.

Nga Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë”, për këtë veprim e kanë fajësuar kryetarin Atiq. Atiqin e kanë përshkruar si njeri “që i urren bashkëqytetarët” dhe se në fund të mandatit, me qëllim, “për të dëmtuar komunitetin shumicë në komunën e tij”, ai hoqi një simbol. Ata kanë thënë se heqja e tabelës ofendon jo vetëm shumicën e qytetarëve në Mitrovicën e Veriut, por gjithë komunitetin serb në Kosovë.

“Sepse mohimi dhe heqja e alfabetit cirilik nga jeta publike, që është një kategori kushtetuese dhe ligjore, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj karakterit të saj shumëetnik dhe shumëkulturor”, thuhet në reagim të kësaj iniciative.

Ndërkaq, mediat lokale kanë vënë theksin edhe te mosshkrimi i fjalës “Veriut” si emër zyrtar i komunës. Për këtë çështje Syla ka thënë shkurt se buxheti ka mjaftuar vetëm për shkrimin “Mitrovica”.