Gjykata Administrative refuzon ankesat për Gostivarin; Limani paralajmëron se çdo delegim i qeverisë do të ishte jashtëligjshëm

Gjykata Administrative ka refuzuar të tre ankesat e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) lidhur me zgjedhjet në komunën e Gostivarit. Më herët, të njëjtat ankesa ishin refuzuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Kryetari i Gostivarit dhe kandidati i AKI-së për kryetar komune, Valbon Limani, deklaroi se rrefuzimi i ankesave nuk kishte bazë juridike. Ai shtoi se tani do të presin që KSHZ-ja të veprojë në përputhje me ligjin dhe së shpejti të caktojë datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Gostivar.

Limani paralajmëroi gjithashtu se çdo përpjekje e qeverisë për të deleguar një përfaqësues të saj në këtë komunë do të ishte e jashtëligjshme, por shprehu besim se një lëvizje e tillë nuk do të ndodhë.

Ai theksoi se procedurat nuk e largojnë nga synimet e tij për të fituar zgjedhjet, duke shtuar se besimi i madh i qytetarëve më 19 tetor, kur mori një numër rekord votash – prej rreth 17 mijë, e bën më të fortë dhe të vendosur për të vazhduar me të njëjtin ritëm.

Ndryshe, për shkak të mosarritjes së censusit zgjedhor në Gostivar, vetëm 20 vota larg pragut prej 33.33%, KSHZ-ja ka vendosur që zgjedhjet në këtë komunë të ripërsëriten. Sipas ligjit, ato duhet të shpallen brenda 60 ditëve nga përfundimi i raundit të parë të zgjedhjeve.

****
Asfaltohet rruga pranë tregut të madh, Limani: Në Gostivar aktualisht punohet në disa projekte infrastrukurore

Pasditen e sotme ka nisur asfaltimi i një pjese të rrugës “Pançe Poposki” në qytetin e Gostivarit. Rruga, me një gjatësi prej mbi 250 metrash, lidh pjesën pranë shkollës fillore “Bashkimi” me rrugën “Beliçica”.

Punimet janë ndjekur nga afër nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili theksoi rëndësinë e kësaj rruge si një nyje e rëndësishme lidhëse e pjesëve të qytetit, për shkak të afërsisë me tregun qendror.

Limani bëri të ditur gjithashtu se aktualisht në territorin e komunës po zhvillohen edhe katër projekte të tjera infrastrukturore, që përfshijnë rikonstruimin dhe asfaltimin e disa rrugëve të tjera, njëra prej tyre te varrezat e vjetra të qytetit.

Ndryshe, projekti i asfaltimit të rrugës “Pançe Poposki” përfshin edhe ndërtimin dhe rregullimin e trotuareve në të dy anët e saj, me qëllim përmirësimin e qarkullimit të automjeteve dhe sigurisë së këmbësorëve. Ajo, është lëshuar në përdorim menjëherë sot pasi mbaroi asfaltimi.