Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën i NATO-s, Wesley Clark, është konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Clark do të jetë dëshmitari i fundit i Mbrojtjes së Thaçit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas dokumentit, Mbrojtja ka njoftuar ZPS-në se Clark ka njoftuar se nuk është i disponueshëm për të udhëtuar drejt Hagës dhe për të dhënë dëshminë e tij, para datës 17 nëntor 2025 dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të fillojë dëshminë e tij para 18 nëntorit, ose mëngjesit të 19 nëntorit 2025.
Mbrojtja pret që dëshmia e Clark të përfundojë për dy ditë.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John SteWart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
DhSK-ja kishte bërë të ditur ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025./Reporteri.net/