Irani, i afërt me Hamasin, tregoi të dielën, më 5 tetor, se mbështet “çdo iniciativë” që lejon “vetëvendosjen për popullin palestinez”, në prag të negociatave në Egjipt midis Izraelit dhe Hamasit me qëllim përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.
Irani “gjithmonë ka mbështetur çdo iniciativë që synon t’i japë fund spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Gaza dhe t’i hapë rrugën realizimit të së drejtës së vetëvendosjes së popullit palestinez”, shkroi Ministria e Jashtme iraniane në një deklaratë, duke shtuar se Teherani është i gatshëm të marrë pjesë në shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza.