Flamur Gjoleka për TS: Dollneni me mua do të jetë komuna e të gjithëve! (VIDEO)

Për herë të parë, mediumi TS ka vizituar fshatin Çërnilishtë dhe komunën e Dollnenit, ku Flamur Gjoleka, kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), ka dhënë një intervistë të gjatë dhe të sinqertë mbi motivet e angazhimit të tij në garën për kryetar komune.

Pse vendose të lësh Slloveninë dhe të kandidosh në Dollnen?

“E vendosa për shumë arsye. Komuna jonë, Dollneni, ka nevojë për më shumë investime dhe për më shumë mbështetje ndaj qytetarëve. Kam lënë bizneset e mia private në Slloveni. Si mërgimtar, e ndjeva për detyrë të ndihmoj popullin tim, aq sa kam mundësi.”

Çfarë planifikoni konkretisht për zhvillimin ekonomik të Dollnenit?

“Do të bëjmë çmos për të sjellë investitorë të rinj, për të ndihmuar në kultivimin e duhanit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Kam lidhje të mira me investitorë nga Sllovenia, Gjermania dhe Turqia. Ka investitorë të fuqishëm nga Turqia që janë të interesuar të investojnë në Dollnen, jo vetëm për duhanin, por edhe për projekte të tjera.”

A është e vërtetë që keni sjellë tashmë investitorë të interesuar?

“Po, kemi pasur vizita nga disa investitorë edhe javën e kaluar nga Turqia. Si qytetarë duhet t’u japim mundësi të vijnë. Nëse fitoj, këta investitorë do të kenë përkrahjen time të plotë për të hapur vende të reja pune dhe për të zhvilluar komunën.”, njofton TS.

Çfarë do të ndodhë me rrogën tuaj si kryetar komune, nëse fitoni?

“E kam vendosur që rroga ime si kryetar komune do të shkojë për një fond të posaçëm për studentët më të mirë dhe për familjet me nevoja të veçanta, pa dallim kombësie. Do ta themelojmë këtë fond për të ndihmuar jo vetëm nga buxheti i komunës, por edhe për të tërhequr mbështetje nga mërgimtarët dhe donatorë të tjerë.”

Çfarë mesazhi keni për kundërkandidatin tuaj dhe për qytetarët në këtë periudhë zgjedhore?

“Ftoj të gjithë që kjo fushatë të jetë sa më demokratike dhe korrekte. Të respektojmë njëri-tjetrin, sepse jemi të gjithë shqiptarë, jemi vëllezër, dhe duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Qytetarët le të vendosin ku është më mirë për ta – kjo është më e rëndësishmja.”

Në fund, cili është premtimi që i bëni babait tuaj?

“I premtoj babait tim se nuk do ta tradhtoj kurrë popullin tim. As emri im, as besimi im nuk më lejojnë të tradhtoj kombin. Për mua, kombi është pika e parë që duhet ta mbajmë si shqiptarë dhe si myslimanë. Duhet të dëshmojmë që jemi më shumë njerëz sesa siç na përshkruajnë të tjerët.”/TS