Fitore e madhe e Maqedonisë U19 në Mal të Zi – Erhan Selimi vazhdon serinë pozitive me përfaqësuesen e të rinjve
Kombëtarja e Maqedonisë U19, e udhëhequr nga trajneri tetovar Erhan Selimi, ka shënuar një fitore të madhe dhe bindëse në ndeshjen e dytë miqësore kundër Malit të Zi, duke triumfuar me rezultat të pastër 2:4 në kampin stërvitor të OFK Titograd në Podgoricë informon Tetovasot.
Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, përfaqësuesja e re maqedonase dominoi takimin e dytë dhe tregoi forcën e saj në çdo repart të lojës. Ekipi i Selimit zhvilloi një lojë të disiplinuar, me posedim të lartë dhe efikasitet para portës kundërshtare.
Serinë e golave e hapi lojtari i Vardarit, Emir Shabotiq, pas një aksioni të bukur të organizuar nga mesfusha. Edhe pse vendasit arritën të barazonin rezultatin, Maqedonia rifitoi epërsinë me Gorazd Ristovskin, i cili shënoi saktë nga pika e bardhë.
Në pjesën e dytë, Mali i Zi barazoi përsëri, por Admir Ljafiti u shndërrua në heroin e ndeshjes me dy gola vendimtarë – njëri pas një gabimi të portierit kundërshtar dhe tjetri pas një depërtimi të bukur solo, që vulosi fitoren 2:4 për Maqedoninë.
Trajneri Erhan Selimi pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve dhe disiplinën taktike të skuadrës:
“Kjo fitore është rezultat i punës së përkushtuar të djemve. Ekipi tregoi karakter, durim dhe efikasitet. Kemi shumë potencial dhe kjo gjeneratë meriton vëmendje të veçantë. Objektivi ynë është që këta lojtarë të rriten dhe të përfaqësojnë me dinjitet Maqedoninë e Veriut në të ardhmen.”
Ky rezultat është një tjetër dëshmi e punës serioze që po bën stafi teknik i udhëhequr nga Selimi, i cili po formon një ekip konkurrues dhe premtues për të ardhmen e futbollit kombëtar.
Mali i Zi – Maqedonia 2:4
Kampi stërvitor i OFK Titograd, Podgoricë
Golashënues: Shabotiq 32’, Ristovski 65’ (pen.), Ljafiti 74’, 82’
Ky sukses është një tjetër faqe e ndritur për futbollin e të rinjve nën drejtimin e trajnerit tetovar Erhan Selimi, i cili po dëshmon se me punë, profesionalizëm dhe përkushtim mund të arrihen rezultate të mëdha edhe në nivelet e moshave të reja.TS