Faton Ameti nga Xhepçishti: 19 Tetori, ditë kthese për dinjitetin shqiptar, mobilizim maksimal për fitore historike! (VIDEO)

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) mbajti sonte një tubim të madh në Xhepçisht, ku shefi i shtabit zgjedhor të AKI-së, Faton Ameti, liderët Ali Ahmeti dhe Arben Taravari si kandidati për kryetar komune, Bajram Rexhepi, folën përpara mbështetësve të shumtë me mesazhe të fuqishme për një fitore të thellë dhe për rikthimin e dinjitetit shqiptar në komunën e Tetovës.

Faton Ameti theksoi rëndësinë e mobilizimit dhe bashkëpunimit të strukturave për një rezultat bindës në zgjedhjet lokale, duke paralajmëruar se 19 tetori do të jetë dita e kthesës për shqiptarët. Ai garantoi se përkushtimi dhe puna e palodhur do të sjellin ndryshime reale, njofton TS.

Nga ana e tij, Bajram Rexhepi foli për kapacitetet e tij menaxheriale dhe përvojën e gjatë profesionale, duke e krahasuar suksesin e tij në drejtimin e projekteve të mëdha me atë të kundërshtarit të tij. Ai u zotua se do të punojë për zhvillimin e komunës dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Tubimi në Xhepçisht shërbeu si një thirrje për bashkim dhe përpjekje maksimale për të sjellë përfaqësimin e drejtë dhe progresin e kërkuar nga komuniteti shqiptar në Tetovë./TS