Faton Ahmeti nga Zhelina: Vazalët e VRED-it mendojnë se me 2 cm asfallt do blejnë dinjitetin e shqiptarëve
Në tubimin elektoral të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), që po mbahet sonte në Zhelinë, Faton Ahmeti, shefi i shtabit zgjedhor, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisë aktuale, duke denoncuar mashtrimin që, sipas tij, po u bëhet qytetarëve shqiptarë në emër të investimeve.
Ahmeti deklaroi se në vend që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e agjendës evropiane dhe përfituese e fondeve të BE-së, pushtetarët aktualë krenohet me “ndihma” që në fakt janë kredi nga qeveria hungareze, e që sipas tij, janë hua kineze, e madje të mbuluara me propagandë kinse janë investime të huaja direkte, njofton TS.
“Qeveritarët tanë mburren që i kanë siguruar fonde nga Hungaria, por në realitet janë kredi kineze, të cilat do t’i paguajmë ne, qytetarët. Vasalët që na përfaqësojnë mendojnë se me 2 cm asfalt të hedhur, do të blejnë dinjitetin e shqiptarëve. Por, më 19 tetor do ta marrin mesazhin”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, AKI ofron një alternativë të ndershme dhe të përgjegjshme që i thotë të vërtetën qytetarëve dhe synon integrim real evropian.
Tubimi në Zhelinë vazhdoi me mesazhe të fuqishme për ndryshim dhe përkrahje për kandidatin e AKI-së, Emir Sulejmani, i cili po fiton gjithnjë e më shumë terren në komunën e Zhelinës./TS