Fatmir Sheholli, i dyshuari për spiunazh po trajtohet në spital

I dyshuari për spiunazh, Fatmir Sheholli, ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe momentalisht po trajtohet aty.

Sheholli një ditë pasi i ishte caktuar masa e paraburgimit, kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe më 11.10.2025 u dërgua në spital.

Fatmir Sheholli momentalisht është i hospitalizuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit, Afrim Cana.

“Pacienti është pranu dje (11.10.2025), ka ardhë me disa ndryshime në shëndet. Pas kontrolleve që i ka bërë në Emergjencën në Gjilan, ai është i hospitalizuar në Spital të Gjilanit, ku edhe është duke u trajtuar” – ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por Gjykata ende nuk ka kthyer përgjigje.

Me 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Fatmir Sheholli, i dyshuar spiunazh.

Përmes një njoftimi të datës 10.10.2025, Gjykata ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shehollit

Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund ti shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penale spiunazhi”- thuhej në njoftimin e Gjykatës, të datës 10.10.2025.

Fatmir Shehollin është arrestuar më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh.