Egjipt/ Trump nënshkruan marrëveshjen e paqes në Gaza: Tre mijë vjet për të arritur këtu!

Në samitin historik për paqen në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit për Gazën, duke u shprehur se duheshin tre mijë vite për këtë marrëveshje.

“Na u deshën 3,000 vjet për të ardhur deri këtu, a e besoni?”, tha Trump teksa firmoste dokumentin, duke shprehur besimin se marrëveshja do të jetë efikase.

Pas tij, edhe liderë të tjerë rajonalë, përfshirë presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi, emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, firmosën dokumentin, që synon të vendosë paqen dhe të ndalë përplasjet në rajon.

“Të gjithë janë të lumtur”, deklaroi Trump në ceremoninë e nënshkrimit, duke falënderuar të gjithë, për mbështetjen e dhënë gjatë negociatave për armëpushimin.

Ai shtoi se kishte përjetuar “marrëveshje të mëdha më parë”, por kurrë kaq të rëndësishme sa kjo.

Presidenti amerikan gjithashtu theksoi se parashikimet për një Luftë të Tretë Botërore në Lindjen e Mesme nuk do të realizohen, falë kësaj marrëveshjeje.

Ceremonia e nënshkrimit u përmbyll me duartrokitje nga pjesëmarrësit dhe shpresë për një paqe të qëndrueshme në një rajon prej dekadash të trazuar.