E bleu pistoletën në Shkup, e thirri për kafe dhe e vrau në Shtip – planin e dinin edhe tre persona të tjerë, por nuk reaguan – ngritet aktakuzë për vrasje
Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka ngritur aktakuzë kundër pesë shtetasve turq të dyshuar për vrasjen e Enes Ozdemir, që ndodhi në maj të këtij viti.
Njëri prej tyre akuzohet për kryerjen direkte të veprës penale “vrasje” dhe për posedim të paautorizuar të armës, ndërsa tre të tjerë do të përgjigjen për ndihmë gjatë kryerjes së veprës. E pesta e akuzuar ngarkohet për ndihmë ndaj autorit pas kryerjes së veprës së rëndë penale.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë, shtetas turk 21-vjeçar pa qëndrim të rregulluar në Maqedoni, në fillim të majit në Shkup ka blerë në mënyrë të paligjshme një pistoletë gjysmë automatike të markës “FEG”, kalibër 9 mm, me numra të fshirë. Më 8 maj, përmes një aplikacioni mobil, ai ishte marrë vesh të takohej me viktimën në një kafene në qendër të Shtipit. Pas një bisede të shkurtër, i akuzuari ka nxjerrë armën dhe ka shtënë disa herë, duke i shkaktuar gjashtë plagë me armë zjarri Ozdemirit, nga të cilat ky i fundit ka ndërruar jetë.
Tre të akuzuarit e tjerë, ndonëse kanë ditur për qëllimin e autorit, i kanë siguruar strehim, logjistikë dhe transport deri në Shtip, si dhe e kanë ndihmuar në blerjen e armës. Pas vrasjes, të gjithë së bashku janë përpjekur të kthehen në Shkup, ndërsa e pesta e akuzuar me makinën e saj ka tentuar ta ndihmojë autorin të arratisej. Ai ka dalë nga automjeti para pikës së pagesës “Miladinovci”, ku më pas është kapur dhe arrestuar nga policia. Katër të tjerët janë ndaluar në të njëjtën pikë dhe janë privuar nga liria.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për katër të akuzuarit, ndërsa për të pestën mbeten në fuqi masat paraprake të kujdesit.