Dorëzohet Stovjanovski, firmos aterimin e diasporës shqiptare në Shkup dhe Ohër

Pas disa ditësh heshtje dhe refuzimi për të dhënë leje aterimi për gjashtë aeroplanë çarter të mbushur me votues shqiptarë nga diaspora, drejtori i Drejtorisë së Aviacionit Civil (DAC), Dragi Stojanovski, është dorëzuar. Vetëm pak minuta më parë, ai ka firmosur lejet për aterim në Shkup dhe Ohër të aeroplanëve që vijnë nga Dortmundi, Bazeli dhe Cyrihu, të cilët transportojnë votues shqiptarë që pritet të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat Kërçovë, Strugë dhe Bërvenicë.

Sipas burimeve të gazetës KOHA, vendimi vjen pas presioneve të shumta, si nga mediat, ashtu edhe nga ambasadat e huaja në Maqedoninë e Veriut, që kanë kërkuar sqarime për bllokimin e pashpjegueshëm të fluturimeve. Siç kishte raportuar më herët KOHA, pas refuzimit për të dhënë lejet për aterim, pas qëndrimit të Stojanovskit qëndronte edhe ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, i cili kishte urdhëruar që kërkesat e agjencive turistike nga Zvicra dhe Gjermania të mos miratoheshin.

Në reagim ndaj këtij vendimi, koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) kishte informuar ambasadat e huaja në Shkup, duke akuzuar pushtetin për pengim të organizuar të votës së diasporës shqiptare në komunat ku gara elektorale është shumë e ngushtë. Kjo ndërhyrje diplomatike dhe reagimi i opinionit publik kanë detyruar më në fund Stojanovskin të nënshkruajë lejet e mbetura pezull.

Burime brenda institucionit të aviacionit civil konfirmojnë për KOHA-n se Stojanovski ka firmosur gjashtë kërkesat për aterim në Shkup dhe Ohër, pasi ishte paralajmëruar se mund të përballej me përgjegjësi penale për abuzim me detyrën zyrtare dhe diskriminim politik. Ndërkohë, për shkak të pasigurisë, diaspora shqiptare kishte njoftuar autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë, që në rast të refuzimit përfundimtar, fluturimet çarter do të devijoheshin për në Aeroportin e Prishtinës dhe atë të Tiranës, prej nga pasagjerët do të udhëtonin drejt Maqedonisë për të votuar.