Deri në ora 20:30 kanë votuar 7.935 persona të sëmurë apo të pafuqishëm, ndërsa deri në ora 18:30 – 1.400 persona në burg apo paraburgim
Nga gjithsej 8.856 persona të sëmurë apo të pafuqishëm që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje lokale, deri në orën 20:30 kanë votuar 7.935 votues. Nga gjithsej 2.162 persona që po vuajnë dënim me burg ose ndodhen në paraburgim, deri në orën 18:30 kanë votuar 1.400 votues, njoftoi sonte Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).
Në institucionet për kujdes jashtëfamiljar, deri në orën 18:30 nga 442 persona të strehuar në këto institucione, kanë votuar 297 votues.
– Votimi për të gjitha këto kategori votuesish është zhvilluar pa pengesa dhe pa asnjë problem apo parregullsi – thuhet në njoftim.
KSHZ informon se rezultatet nga votimi i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, nga burgjet dhe shtëpitë për të moshuar, nuk do të publikohen veçmas gjatë ditës së sotme.
– Çdo fletëvotim individual është vendosur në zarfe të veçanta të mbyllura dhe në kutitë e votimit, të cilat nuk do të hapen sot. Numërimi i këtyre votave dhe publikimi i rezultateve nga votimi i sotëm do të bëhet nesër pas orës 19:00, së bashku me rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve, për çdo vendvotim dhe për çdo komunë – thuhet në njoftimin e KSHZ-së.