Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Tearcës, Daut Memishi, ka shpallur fitoren në këtë komunë pas mbylljes së procesit të votimit dhe përpunimit të rezultateve preliminare.
Në garën përballë kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Nazim Taipi, Memishi ka siguruar një epërsi të qartë që, sipas shtabit të tij, e bën të pakontestueshme fitoren në raundin e parë.
“Qytetarët e Tearcës zgjodhën ndryshimin dhe e konfirmuan mbështetjen për vizionin e VLEN,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Memishi pas mbylljes së votimit.
Koalicioni VLEN, nëpërmjet përfaqësuesve të tij, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen masive dhe për besimin e dhënë, duke e konsideruar këtë rezultat si një mandat të qartë për qeverisje të përgjegjshme dhe transparente në Tearcë.
Rezultatet zyrtare priten të konfirmohen nga KSHZ në orët në vijim./TS