CMG-ja: Nga rritja 5.2 % të shohim prirjen e ekonomisë kineze

Këtë vit, duke u përballur me gjendjen e ndërlikuar plot presion dhe me vështirësi të shumta, ekonomia kineze ka pasur arritje të siguruara me vështirësi: në tre tremujorët e parë GDP-ja e Kinës u rrit 5.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja ekonomike e Kinës renditet përsëri në vendet e para të botës. Disa ditë më parë, FMN-ja publikoi një raport, ku parashikohet që rritja e ekonomisë globale sivjet do të ulet në 3.2 %, nga 3.3% që ishte në vitin 2024. Në krahasim me vendet e tjera, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze vetëm në tremujorin e 3-të e ka kaluar nivelin total të ekonomisë gjermane në mbarë vitin 2024. Kështu, Kina është bërë burimi më i qëndrueshëm dhe më i besueshëm i gjallërisë për rritjen ekonomike globale, theksohet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.

Foto nga VCG

Në tre tremujorët e parë, vlera e shtuar e ndërmarrjeve industriale mbi përmasa (me të ardhura vjetore më shumë se 20 milionë juanë) u rrit me 6.2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, vëllimi i përgjithshëm i shitjeve me pakicë u ngrit me 4.5 %, niveli mesatar i papunësisë urbane ishte 5.2 %, treguesit e shtatorit, si treguesi i menaxherëve të blerjes (PMI) dhe treguesi i pritshmërive të veprimtarisë së prodhimit dhe biznesit (BPOEI), shënuan rritje… Nga këto mund të shohim që treguesit kryesorë të ekonomisë kineze në tre tremujorët e parë ishin në gjendje të qëndrueshme, duke krijuar një bazë të mirë për arritjen e objektivit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2025, vijon komenti i CMG-së.

Këtë vit Kina po zhvillon forcat e reja prodhuese cilësore. Në tre tremujorët e parë, vlera e shtuar e sektorëve të prodhimit të pajisjeve dhe të prodhimit me teknologji të lartë ishte përkatësisht 3.5 dhe 3.4 pikë përqindjeje më e lartë se vlera e shtuar e ndërmarrjeve mbi përmasa. Sipas raportit të fundit nga WIPO, më 2025 treguesi i inovacionit i Kinës për herë të parë u rendit në 10 vendet e para të botës. “Zinxhiri i inovacionit+zinxhiri i industrisë” janë integruar thellësisht dhe kjo i ka dhënë energji të re ekonomisë kineze dhe ka përshpejtuar inovacionin global.

Në tre tremujorët e parë të këtij viti import-eksporti i mallrave i Kinës ishte 4 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2024, duke pasur rritje për 8 tremujorë radhas, me gjithë sfidat dhe problemet, si proteksionizmi, konfliktet gjeopolitike dhe mosmarrëveshjet tregtare. Përveç produkteve të reja me cilësi të mirë, Kina ka zgjeruar pandërprerë edhe “rrethin e miqve” të vet. Në shtatë muajt e parë të këtij viti, Kina ishte një nga tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të 166 vendeve e rajoneve të botës, 14 më shumë se në vitin e kaluar. Agjencia “Bloomberg” njoftoi që në shtator, eksporti i Kinës shënoi rritjen më të madhe në gjashtë muajt e fundit. Kjo tregon elasticitetin e fuqishëm të ekonomisë kineze, sipas CMG-së.

Shumë veta duan të dinë se cila është logjika e brendshme që qëndron pas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë kineze? Në fakt, ky është rezultati i koordinimit të epërsive të shumta nga ana e ofertës, e kërkesës dhe e talenteve, pa u ndarë, sigurisht, nga mbështetja e fuqishme e politikave. Këtë vit, Kina ka zbatuar makropolitika më proaktive, ka nxitur thellësisht ndërtimin e një tregu të unifikuar kombëtar, dhe qarkullimi i njerëzve, mallrave e fondeve po përshpejtohet. Posaçërisht në kohën e fundit, është ngritur niveli i përkrahjes dhe janë publikuar masat mbi shtimin e konsumit të shërbimit. Të gjitha këto kanë ofruar mbështetje të fortë për zhvillimin e shëndetshëm të ekonomisë kineze.

Foto nga VCG

2025-a është viti i mbylljes së planit të 14-të 5-vjeçar dhe viti i hartimit të planit të 15-të 5-vjeçar. Më 20 tetor u hap në Pekin plenumi i 4-t i Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së, ku do të bëhet projektimi i nivelit të lartë dhe përpilimi strategjik për zhvillimin në pesë vjetët e ardhshëm. Bashkësia ndërkombëtare ka komentuar që hartimi i planit të 15-të 5-vjeçar ka rëndësi të madhe për ekonominë globale. Bota po pret që të ketë përfitime të reja nga politikat e qëndrueshme të Kinës dhe zgjerimi i hapjes së saj.

Tani, gjendja ndërkombëtare është e ndërlikuar e në ndryshim të vazhdueshëm dhe zhvillimi i ekonomisë përballet me presione të shumta, por gjendja e qëndrueshme, prirja e përparimit dhe elasticiteti i ekonomisë kineze nuk kanë ndryshuar, dhe kushtet pozitive për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik po shtohen. Kina do të bëjë siç duhet punët e veta dhe do të ofrojë raste të reja për botën me zhvillimin e vet të qëndrueshëm e cilësor, e mbyll komentin CMG-ja.