James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, ka përfunduar të enjten dëshminë e tij tre-ditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar si dëshmitar i mbrojtjes, ish-diplomati amerikan ka folur gjerësisht për strukturën e UÇK-së, marrëdhëniet mes komandantëve, rolin e Hashim Thaçit dhe ngjarje të caktuara pasluftës.
Sipas tij, marrëdhëniet e Hashim Thaçit me komandantët e UÇK-së nuk ishin të lehta dhe shpesh mungonte respekti ndaj tij. Ai përshkroi një episod gjatë një takimi me gjeneralët Wesley Clark dhe Michael Jackson:
Bordi i ZRRE’së takohet me Zv. Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, flasin për liberalizimin e tregut të energjisë
Arrestohet një shtetas i Serbisë, sulmoi policët në Jarinjë
“Komandantët e UÇK-së diskutonin drejtpërdrejt me gjeneralin amerikan, ndërsa Thaçi qëndronte i tërhequr, i lënë anash.”
Covey vlerësoi se Agim Çeku ishte figura më me ndikim në UÇK dhe se ai kishte aftësinë për të siguruar konsensus mes komandantëve, ndërsa UÇK-ja nuk funksiononte me komandë të centralizuar:
“UÇK-ja nuk kishte komandë të centralizuar, por funksiononte si një lëvizje ku çdo komandant në terren gëzonte autonomi të madhe.”
Për raportet mes Thaçit dhe Çekut, Covey tha se: “Ata silleshin korrekt, por me rezerva.”
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë iu kushtua edhe vrasjes së 14 civilëve serbë në Lipjan, menjëherë pas luftës. Sipas Covey-t, Thaçi ishte informuar për këtë ngjarje dhe kishte komentuar se:
“Akti ndodhi për shkak të vakuumit të krijuar nga mungesa e një force policore, por kishte shtuar se nuk do të lejohej që në Kosovë të mbizotëronte anarkia.”
Ish-diplomati foli gjithashtu për periudhën e Rambujesë, ku vuri në dukje presionin që Thaçi ndjente nga komandantët:
“Thaçi dukej i frikësuar dhe nën presion nga komandantët e zonave.”
Në përmbyllje të dëshmisë, Covey dha një përshkrim personal për Thaçin si figurë politike në zhvillim:
“Na u paraqit si një i ri ambicioz e i zgjuar, por jo shumë i zhvilluar. Kishte ambicie politike më të mëdha sesa aftësia e tij për t’i imponuar. Ai përpiqej të gjente rrugën në një fushë ku nuk kishte përvojë.”