Bujar Osmani në pritjen e Ambasadës Gjermane: Gjermania mbetet partner kyç në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut
Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Federale të Gjermanisë, Bujar Osmani, ish ministri i jashtëm dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Çairin, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada Gjermane në Shkup, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik midis dy vendeve.
Në një atmosferë diplomatike dhe miqësore, Osmani shprehu mirënjohje të veçantë ndaj ambasadores Petra Drexler për kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë në proceset reformuese dhe integruese të Maqedonisë së Veriut.
“Gjermania është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm – një mik i vërtetë, me të cilin ndajmë vizionin për një Maqedoni të Veriut stabile, prosperuese dhe evropiane,” – deklaroi Osmani pas eventit.
Ky takim vjen në një kohë të rëndësishme për vendin, kur integrimi evropian, stabiliteti rajonal dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar janë çështje kyçe në agjendën politike dhe diplomatike.
Pjesëmarrja e Osmanit në këtë ngjarje nënvizon angazhimin e tij për diplomaci aktive dhe orientim të qartë euroatlantik, në përputhje me vlerat dhe partneritetet strategjike të vendit./TS